Azem PARLLAKU / Kreu i Kuvendit Ilir Meta pritet të zgjidhet sot President i Republikës dhe të marrë detyrën me 24 korrik. Meta ka marrë dje mbështetjen e partisë së tij dhe të Partisë Socialiste për të qenë në krye të shtetit. Vetëm një ditë më parë kreu i Grupit Parlamentar socialist Gamoz Ruçi i kërkoi nga foltorja e Parlamentit Metës të zgjidhet presidenti ose vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë, ndërsa theksoi se koha për dialog ka mbaruar.
Menjëherë pasi Meta pranoi postin e kreut të shtetit, mbërriti reagimi i kryeopozitarit Basha nga Çadra e Lirisë. Për kreun demokrat, kjo është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën, rruga dhe shteti i tij i falimentuar ka arritur në stacionin e fundit. Pazari që mbant ne këmbë aleancën e lindur nga pasurimi i Rilindjes së krimit ka pjellë aktin e fundit, ka nënshkruar falimentimin e Shqipërisë.
Njeriu që u përpoq ta fuste në burg rivalin politik për të cilin ngriti dosje konspiracioni, u detyrua ta shpallë President. Më vonë Edi Rama dhe Lulzim Basha shkëmbyen oferta live, njëri në Top Story e tjetri në Opinion. Rama, në emisionin e Sokol Ballës përmendi, se afati i regjistrimit të partive në zgjedhje nuk ka përfunduar ende dhe se mazhoranca është gati të ndryshojë kodin zgjedhor për afatin, që Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje.
Në studion e Blendi Fevziut, lidieri i opozitës bëri lëshimin e vet se, është gati që Kryeministrin e qeverisë teknike, si pjesë e ekzigjencës, t’a pranojë të ardhur nga Partia Socialiste. Në kryeqytetin e Shqipërisë mbrëmë sigurisht që, u derdh shampanjë dhe pati dëshpërim. “E drejta është në anën tonë”, u tha dje ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbështetësve të tij, të cilët ishin grumbulluar para ndërtesës së Gjykatës së Apelit në Colmar, menjëherë pas marrjes së vendimit që, refuzon kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërsa zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bënë të ditur se, Haradinaj nuk ka pranuar të pritet në Kosovë me ceremoni shtetërore, siç kishte ndodhur kur ai ishte kthyer pas gjykimit në tribunalin e Hagës. Por, më vonë u mbajt një tubim me qytetarë në qendër të Prishtinës. Haradinaj duke folur për qytetarët në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë tha, se gjatë kohës që ishte i ndaluar në Francë e ka pasur përkrahjen e qytetarëve, por nuk e ka ndjerë mbështetjen e institucioneve shtetërore. “Për fat të keq edhe një herë, si dikur, u ndjeva pa shtet Institucionet e Kosovës nuk ishin në nivelin e tyre”, u shpreh ish-kryeministri i Kosovës. I menjëhershëm ishte reagimi i autoriteteve serbe pas vendimit të gjykatës franceze. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, i ka shkruar letër Presidentit të Francës, François Hollande, ku i ka thënë se vendimi i gjykatës franceze për lirimin e Ramush Haradinajt tregon se “edhe kësaj radhe politika po e mund drejtësinë”. Vuçiç nga ana e tij nënvizoi se, “Qeveria e Republikës së Serbisë e konsideron se ky është një vendim i turpshëm, skandaloz, kundër drejtësisë dhe absolutisht jo i drejtë”. Gjithësesi, përtej këtyre deklaratave në kryeqytetin e Kosovës, u festua me këngë valle e fishekzjarrë.
Shqiptarët e Malit të Zi arritën dje, që të kenë një komunë të dytë në këtë shtet, të kontrolluar prej tyre. Kuvendi malazez miratoi projektligjin që i hap rrugë zyrtarizimit të Tuzit si komunë e shkëputur nga ajo e Podgoricës. Pas komunës së Ulqinit, komuna e Tuzit bëhet komuna e dytë që do të drejtohet nga shqiptarët, e cila do të ndikojë në përmirësimin e jetës së minoritetit shqiptar në Mal të Zi dhe do të rrisë ndikimin e tyre politik.
Ndërkohë që në Tiranë, Prishtinë, dhe Tuz, derdhej shampanjë dhe hidheshin fishekzjarrë, në Shkup protestuesit hynë në Kuvendin e Maqedonisë pasi shumica parlamentare, Social Demokratët dhe partitë shqiptare votuan për të zgjedhur shqiptarin Talat Xhaferi si kryeparlamentar. Pjesëmarrësit të protestës “Për Maqedoninë e bashkuar” të cilët u futën me dhunë në ndërtesën e Kuvendit të Maqedonisë sulmuan fizikisht liderët e partive të koalicionit të ri qeverisës, ku më rëndë u lënduan Zoran Zaevi i LSDM-së, dhe lideri i Lëvizjes Reformiste të PDSH-së, Ziadin Sela, si edhe një pjesë të gazetarëve të cilët e kanë ndjekur nga afër situatën e krijuar në parlament.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, fajësoi LSDM-në dhe partitë shqiptare për dhunën e djeshme në ambientet e Kuvendit të Maqedonisë, që rezultoi me shumë të lënduar pikërisht nga radhët partive që ai i fajëson. Sipas Gruevskit Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe partitë e tjera që e mbështesin vendosën që të përpiqen që në mënyrë joligjore ta zgjedhin kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, duke i shkelur proçedurat ligjore dhe demokratike dhe me vetëdije kontribuan në rritjen e tensioneve. Sjelljet e dhunëshme dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni, aspak nuk i shërbejnë demokracisë dhe stabilitetit në shtetin fqinj, ku shqiptarët duhet të tregojnë maturi.
Dhuna e mbrëmshme në Parlamentin e Shkupit nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar dhe qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vazhdimin e proçesit të funksionalizimit të institucioneve në rrugë demokratike. Duke lënduar deputetët, falangat e dhunëshme të Shkupit, kanë lënduar edhe votuesit e tyre. E kur mbrëmë lënduan shqiptarët, atëherë nuk kanë lënduar qeverinë por kanë lënduar shtetin, mbasi mendja racionale interesohet për shtetin dhe jo për qeverinë, dhe aq më pak për qeveritë sepse këto të fundit janë të paqëndrueshme, ndërsa shteti është një strukturë e qëndrueshme.