Rama-Trump, politika e jashtme dhe LSI!

Foto e Ditës Kryesore Opinion

Alban DACI  /  Çështja e Trump-Rama, është një çështje shumë e ndërlikuar dhe që nuk duhet të lihet në harresë. Së pari, Rama apo kushdo që mbulon detyra të rëndësishme shtetërore, duhet te jetë i bindur se Politika e Jashtme nuk është çështje emotive personale apo e ndërtuar mbi bazën e pikëpamjeve personale.

Kam përshtypjen se Rama po e nënvlerëson çështjen e marrëdhënieve të tij me Presidentin Trump. Nuk e di nëse me mund të them se Rama u përdor për deklaratat e tij të bëra kundrejt Trump gjatë kohës që ai ishte në garë për Shtëpinë e Bardhë, apo me të vërtetë ashtu e mendonte dhe thjeshtë dha opinionin e tij. Nëse është e vërtetë e para kjo është shumë e rëndë që minon marrëdhëniet tona me SHBA e nëse është e vërtetë e dyta, përsëri ai ka bërë një gabim shumë të rëndë, sepse opinionet e tij nuk janë opinionet e një qytetari të thjeshtë, por të kryeministrit të një vendi kundrejt një kandidati për President të vendit më të fuqishëm në Botë, SHBA. Ai s’mund e nuk duhet të jepte opinione e për më tepër aq të drejtpërdrejta kundrejt një kandidati për president e për proceset e brendshme demokratike të një vendi tjetër, sepse quhet ndërhyrje në çështjet e brendshme.

Rama po gabon shumë duke e neglizhuar situatën e tij aktuale në lidhje me Presidentin Trump. Dikush mund të mendoj se jemi një vend i vogël dhe Trump nuk dinë asgjë. Ky është një gabim i rëndë, sepse deklaratat e liderëve të vendeve të tjera kundrejt udhëheqësve të SHBA, shkruhen në raporte të veçanta dhe analizohen me detaje. Pra, është e sigurt se deklaratat e Ramës për Trump janë në raportet e Departamentit të Shtetit dhe jo vetëm. Madje, mund të them me bindje se Trump i ka mbi tavolinën e tij të punës komentet e Ramës për të.

Ajo që mua më shqetëson më shumë nuk është çfarë ka thënë Rama në të kaluarën për Trump, por mungesa e vullnetit të Ramës për t’i rikuperuar këto marrëdhënie në kuadër të marrëdhënieve biletarale dhe të interesave reciproke të dy vendeve.

Disa të vërteta duhet t’i themi, sidomos nëse këto janë në shërbim të vendit. Politika e Jashtme e Shqipëri nuk është në ditët e saj më të mira. Mendoj se ka dy arsye që po ndodh kjo: Së pari, Bushati është njeriu i gabuar për atë detyrë, sepse nuk ka protagonizëm, prestigj dhe strategji të mirëfillta në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare. Së dyti, protagonizmin e Politikës së Jashtme Bushatit ja ka marrë Rama. Mendoj, se sot kemi de facto Ramën Kryeministër dhe Ministër të Jashtëm, në pamundësi për t’i bërë të dyja mirë, këtë të dytën po e bën ndoshta keq.

Në lidhje me Politikën e Jashtme nga 2013 e deri më sot nuk kemi asnjë lloj suksesi. Nuk kemi asnjë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në favor të Shqipërisë, nuk kemi asnjë Ndërmarrje Ndërkombëtare të rëndësishme që ka ardhur të investojë e të sjellë kapitale në Shqipëri. Po ashtu kemi drejt shkatërrimit përfundimtar Shërbimin Diplomatik, që ka qenë keq më parë e sot është në gjendje skandaloze.

Pra, ne sot jemi të dështuar  në Diplomacinë ndër-shtetërore ose pluri-shtetërore, Diplomacinë Ekonomike e në fund po shkatërrojnë në një situatë pa kthim, gjenezën e diplomacisë, Shërbimin Diplomatik. Për këto arsye e kam thënë më parë dhe e ri them se kemi një Ministër të Jashtëm jo vetëm të dështuar, por edhe të dëmshëm për interesat kombëtare.

Paaftësia e një Ministri të Jashtëm nuk është vetëm një cilësi individuale, dështim i një Qeverie, por një kërcënim për interesat kombëtare. Pra, është si ajo skuadra e futbollit që nuk din as të sulmojë e  as të mbrohet.

Proceset ndërkombëtare dhe rajonale kanë hyrë në dimensione të reja që kërkojnë reagime të shpejta, strategji të shpejta e fituese. Për këtë arsye mendoj se duhet një dimension i ri në Politikën e Jashtme. Kam menduar se Rama është me natyrë “ekzekutues” si Kryeministër, por me mbarimin e mandatit të tij të parë, ai doli politikan që ka frikë nga ekuilibrat dhe se ka cilësi leadershipi smart power dhe jo hard power.

Tashmë jemi në prag të zgjedhjeve të reja dhe fushata edhe pse jo në mënyrë zyrtare ka nisur, por kjo nuk duhet ta pengojë Ramën të marrë vendimet e duhura dhe të ketë forcën për ndryshime.

Unë, mendoj dhe gjithnjë e më shumë jam i bindur, se Bushati duhet të largohet nga Politika e Jashtme. Mendoj, se PS ka plot personazhe që do t’i jepnin një dinamikë dhe një dimension të ri Politikës së Jashtme. Disa nga këta janë: Arta Dade, Blendi Klosi, Taulant Balla dhe Mimi Kodheli. Ndoshta më përfekja në këtë post do të ishte Mimi Kodheli, por për të ka projekte dhe impenjime akoma me të rëndësishme.

Po të ishte për mua do të zgjidhja mes Klosit dhe Ballës. Të dy do të ishin perfekt! Balla ka kohë që bën politikë të jashtme e sidomos europiane për shkak të angazhimeve të ndryshme të komisioneve parlamentare si dhe për shkak se është zv. Kryetar i Grupit Parlamentar të PS. Ruci i ka dhënë shumë hapësirë Ballës për të bërë politikën e jashtme të Grupit Parlamentar të PS, duke qenë se vetë merret më së shumti me çështjet e politikës së brendshme. Klosi më duket me staturën e duhur për postin e Ministrit të Jashtëm.

Përse duhet të largohet Bushati? Së pari, Bushati është Ministër i Jashtëm  dhe është i vetmi që ka komentuar zgjedhjen  e Metës për President duke e argumentuar se mund të ishte i duhuri. Bushati duke bërë këtë koment po bën të njëjtin gabim që bëri Rama për Trump e kjo na bën të besojmë atëherë se Ramën e ka këshilluar e frymëzuar Bushati.

Shërbimi Diplomatik është në ditët më të vështira, sepse ky shërbim është ndarë si tortë pushteti mes LSI e PS. Nëse do të kishte një institucion ku të gjitha përgjegjësitë duhet të ishin të PS, duhet të ishte pikërisht Shërbimi Diplomatik. LSI ka shumë ambasadorë, konsuj e trupa diplomatike aktiv në Shërbimin Diplomatik, disa janë militantë, disa shërbëtorë të partisë, disa farefis, por shumica e tyre janë në shërbim që nga koha kur ishte LSI në koalicion me PD.

Dihet se LSI e ka pasur gjithmonë dëshirën të mbaj Ministrinë e Jashtme, por nuk mund ta ketë dhe nuk duhet ta ketë Politikën e Jashtme. Politika e Jashtme duhet t’i takojë vetëm PS përsa kohë ajo është shumica.

Ndërrimi i Ministrit të Jashtëm duhet të shoqërohet edhe me një dimension të ri të Politikës së Jashtme. Së pari, duhet të punohet maksimalisht që të shuhet se s’bën çdo lloj alibie mes Ramës dhe Trump. Duhet të punohet fort që sa më shpejt të jetë e mundur Rama të bëj një vizitë drejt SHBA dhe të paktën duhet të takohet me zv. Presidentin. Rama është kryeministër i vendit dhe nuk mund të ec më mbi menefregizmin apo mbi pasionet e tij emotive personale në raport me çdo udhëheqës të kujtdo vendi të huaj qoftë.

LSI në mënyrë të turpshme po përdor alibitë e Ramës të krijuara në mënyrë të panevojshme nga vetë Rama kundrejt Trump për ta sulmuar po Ramën. Natyra e Trump është krejt e ndryshme me Metën dhe ashtu siç ka mbi tavolinë raporte për Ramën ashtu ka edhe raporte të hartuara nga Departamenti i Shtetit për Metën dhe jam i sigurt se raportet për Metën nuk janë aq të bukura dhe të pastra siç po duan të reklamohen. Sot për sot nuk ka asnjë të privilegjuar nga Shqipëria përballë Trump, por Rama i ka të gjitha mundësitë që të jetë ai i preferuari dhe është i favorizuar për faktin se është Kryministër, është kryetari i partisë më të madhe në vend.