Rebusi i zgjedhjeve me parashikimet për koalicione e prapaskena, sondazhe që nuk i jepnin askujt një shumicë të qartë dhe njerëz që kishin “frikë” të shpreheshin, u zgjidh në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Deri në momentin që “Monitor” shkoi për shtyp, Partia Socialiste kryesonte me 73 mandate, që i mundësojnë asaj të qeverisë e vetme edhe për katër vitet e ardhshme.
Por, situata sa e thjeshtë duket, aq e komplikuar është. Sinjali i parë ishte një refuzim, pothuajse masiv, i sovranit për të shkuar në votime. Me një pjesëmarrje prej 45.2%, u shënua një rekord minimum historik. Si për ironi, kjo mospjesëmarrje më e ulëta historike, i dha një mandat edhe më të gjerë Edi Ramës, i cili prej kohësh po i “lutej me zemër në dorë” elektoratit që t’i jepte një shans tjetër që të drejtonte timonin, atij personalisht.
Dhe timonin e mori, të tërin për vete, dhe tani i mbetet të mësojë t’i japë, të fiksojë navigatorin në drejtimin që do dhe të niset në një rrugë që pritet të jetë për pasagjerët në të e vështirë dhe plot të papritura! Jo vetëm për faktin se destinacioni i mjegullt i “rilindjes” ekonomike nuk u sqarua në fushatë, por edhe për vetë karakteristikat e timonit e mbi të gjitha, të vetë shoferit Kryeministër.
Ekonomia është në një moment jo të keq, ndonëse të brishtë, por në pjesën më të madhe si rrjedhojë e faktorëve rastësorë, për të cilët Rilindja nuk është lodhur shumë në mandatin e parë, si projektet e mëdha në energjetikë (HEC-i i Devollit dhe sidomos gazsjellësi TAP), apo dhe nga një rritje e ndjeshme e turizmit (për faktin se Shqipëria, me bukuritë që i ka falur natyra, ndodhet në vendin e duhur, në momentin e duhur, kur turizmi europian kërkon alternativa ndaj Turqisë së trazuar nga konflikti i tejzgjatur sirian, por edhe nga një Erdogan, i cili ka vendosur t’i japë vendit të tij një “kthesë”, që e ndryshon orientimin politik e shoqëror, duke e larguar e duke i kthyer kurrizin EU). Veçanërisht dy faktorët strategjikë pritet të mos japin më ndikim pas një ose dy vitesh. Gazsjellësi TAP do të mbarojë në vitin 2019 dhe Shqipëria nuk i ka paraprirë një infrastrukture që të mund ta shfrytëzonte atë.
Këtu, rruga, që ishte e shtruar gati me asfalt, do të hasë të çarën e madhe. Katër vitet e kaluara treguan se qeverisë i ka munguar vizioni për të hedhur hapat drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, duke e lënë atë në dorë të zhvillimeve rastësore. Premtimi i madh për hapjen e 300 mijë vendeve të punës rezultoi një farsë, por kjo nuk e ka penguar për të pasur një objektiv, ndonëse pak më të ulët prej 220 mijë vendesh pune!
Politika e taksave të larta e mandatit të parë rezultoi e pasuksesshme, si për të arritur më shumë të ardhura në buxhet, ashtu dhe në faktin që u kthye në faktor pengues në rritjen e biznesit dhe çlirimin e investimeve të ekonomi. Është e vërtetë që taksat nuk janë faktori i vetëm që ndikon në ecurinë e ekonomisë, por kryefjala e bizneseve gjatë gjithë fushatës ishte që ato të paktën të ishin në nivel të krahasueshëm me rajonin. Reforma në Drejtësi, që u kthye në pikën më të fortë të argumentit për të marrë timonin në këtë fushatë, rrezikon të kthehet në një “mea culpa”, teksa përvoja e viteve të fundit ka treguar se ai nuk ka qenë faktori vendimtar që ka ndikuar në mosardhjen e investitorëve apo stepjen e investimeve të brendshme. Katër vitet e fundit nuk kanë sjellë ndonjë dyndje investimesh të qëndrueshme ndryshe nga fqinjët tanë, Serbia dhe Maqedonia, kanë kapur tendencën globale, duke u bërë faktorë në industrinë e pjesëve të makinave apo të teknologjisë së informacionit.
Dhe reforma në drejtësi nuk e ka penguar aspak qeverisjen që ta orientonte timonin në të njëjtën rrugë me fqinjët.
Makina pritet të niset me vrull, duke filluar nga shtatori, por të papriturat gjatë rrugës ka të ngjarë të jenë të mëdha. Ajo do të ecë në një rrugë tashmë të amortizuar (në mandatin e kaluar u punua vetëm për arnime e bojatisje në projektin e Rilindjes Urbane), që nëse nuk shtrohet nga themelet mund të amortizojë shumë shpejt motorin, gomat, frenat apo amortizatorët, duke e bërë timonin një lodër të bukur në duart e shoferit. Një furnizim me karburant të keq ndërkohë, do të bëjë që tymi i zi nga marmita të dalë shumë shpejt…