LSI takim me të rinjtë, Meta: Nuk ka shpresë më të madhe për një popull se sa ëndrrat e fëmijëve

909

Ditën e sotme, Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së së Njësisë administrative nr. 4 në Tiranë. I pranishëm në këtë aktivitet ishte ish-kryetari i LSI-së Ilir Meta.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, ish-kryetari Meta tha se rinia është forca kryesore e ndryshimeve dhe e transformimeve të Shqipërisë. Sipas tij, fuqia e LSI-së është solidariteti dhe të rinjtë e LRI-së.

“Forca kryesore e ndryshimeve, e transformimeve të Shqipërisë në të gjitha kohërat ka qenë rinia dhe nuk mund të jetë ndryshe. Nuk ka forcë më të madhe, nuk ka fuqi më të madhe, nuk ka shpresë më të madhe për një popull se sa ëndrrat e fëmijëve dhe të të rinjve. Fuqia e LSI-së është solidariteti. Fuqia e LSI-së është rinia, dhe fuqia e vërtetë e rinisë është bashkimi i saj i cili është i konkretizuar kaq mirë dhe kaq bukur tek Lëvizja Rinore për Integrim”, u shpreh Meta.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së për qarkun Tiranë, Klajda Gjosha, njëkohësisht kryetare e LGI-së, deklaroi përpara të rinjve të Njësisë administrative nr. 4, se politika nuk është një lojë, por ka në dorë jetën e çdo qytetari dhe kërkon sakrifica të mëdha dhe përgjegjësi.

“Ne besojmë dhe sot është dita më shumë se kurrë për t’u thënë të rinjve se ky është shansi juaj, sepse ne nuk mendojmë se askush më shumë se të rinjtë mund të luftojnë për vendin e tyre, të punoj për vendin e tyre dhe realisht të ofrojë një shans më pas për gjithë vazhdimësinë e jetës që pason dhe gjithë familjet tuaja. Ne prandaj kemi zgjedhur të kemi të rinj në politikë, sepse unë nuk mendoj që politika është një lojë. Politika ka në dorë jetën e gjithsecilit prej nesh dhe nuk mund të jetë një lojë. Është përgjegjësi, është punë dhe sakrificë shumë e madhe”,  nënvizoi Gjosha.

Ndërsa kryetarja e LRI-së Floida Kërpaçi bëri me dije se programi i LSI-së do të sjellë më shumë shanse për të pasur arsim më cilësor dhe se i duhet thënë “mjaft” neglizhencës ndaj të rinjve. “Ne si LSI kemi punuar për një program që sjell shanse për një arsim cilësor nëpërmjet rritjes së buxhetit dhe në këtë mënyrë ne si LSI e kemi arsimin prioritet, sepse për ne të rinjtë janë të parët. Dhe për këtë arsye ne të rinjtë duhet të bëhemi bashkë dhe duhet t’i them stop indiferentizmit, duhet t’i them stop neglizhencës ndaj të rinjve. Është koha që për ne duhet të ketë më shumë vëmendje, sepse ne meritojmë më shumë shanse meritojmë më shumë mundësi për një arsim më cilësor ashtu edhe për një punë më të mirëpaguar”, theksoi Floida Kërpaçi, kandidate për deputete e LSI-së në Qarkun e Tiranës.

Një fjalë përshëndetëse në këtë takim mbajti edhe Sekretari i Përgjithshëm, Endrit Braimllari, njëkohësisht edhe kryetari i LSI-së Tiranë, i cili vlerësoi energjinë pozitive që ka LSI-ja dhe shprehu besimin te potenciali i jashtëzakonshëm i të rinjve.

“Kjo frymë pozitive, kjo energji pozitive është forca e LSI-së, sepse forca e LSI-së është forca e ekipit dhe forca e bashkimit për të ecur përpara. Ne besojmë te forca e të rinjve, besojmë te potenciali i jashtëzakonshëm që kanë të rinjtë e këtij vendi, për t’i shërbyer Shqipërisë. Ndaj dhe LSI është një shans për të gjithë, ndaj dhe LSI është një shans për çdo të ri. Me përfshirjen e të rinjve në politikë ne e bëjmë politikën më të mirë, më bashkëpunuese, e bëjmë politikën më pranë njerëzve dhe më të thjeshtë”, tha Braimllari




Këtë e pëlqejnë %d blogues: