Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ka urdhëruar nisjen e një hetimi administrativ lidhur me skandalin e byzylykëve të mbikqyrjes elektronike të personave që kanë masë ndaluese për veprat penale.
Sasia prej 300 byzylykësh që kap vlerën e 2 milionë eurove, siç ka konstatuar ministria e Drejtësisë i është rikthyer në kundërshtim me ligjin kompanisë private të kontraktuar e cila është një bashkim operatorësh ekonomik.
Burimet i thanë Ora News, se pjesë e këtij hetimi për shkelje të ligjit janë grupi i specialistëve të shërbimit të provës por edhe të ministrisë së Drejtësisë, që kanë firmosur dokumentin me numër protokolli 834 të datës 11 prill për dorëzimin e 300 byzylykëve, tek bashkimi i operatorëve. Po ashtu edhe pse në letrën afati i fundit që ministria përcaktonte kompanisë për dorëzimin e pajisjeve ishte data 3 gusht, një përfaqësi e bashkimit të operatorëve kanë zhvilluar një takim me ministrin ku mësohet se u është lënë një afat deri ditën e martë për tu kthyer mbrapsht 300 byzylykët e blerë.
Ndryshe Bardhi ka theksuar se ndaj tyre do të depozitohet kallzim penal në prokurori. Po të njëjtat burime nga Ministria e Drejtësisë, theksuan për Ora News, se ministri Gazmend Bardhi për këtë çështje i është drejtuar me një shkresë edhe departamentit të administratës publike, pasi sipas tij personi ekskluziv që është marrë me procedurat e tenderimit dhe firmosjen e kontratës për blerjen e byzylykëve elektronik dhe ndjekjen e procedurave mbi to, ka qenë sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni.
Ministri Gazmend Bardhi në shkresën që Ora News publikoi të dielën, hedh dyshime për fiktivitet të tenderit dhe mos përputhje të pajisjeve me specifikimet në kontratë. Ndërsa Bashkimi i operatorëve gjatë korrespondencës që kanë patur me ministrinë e Drejtësisë pretendojnë se kanë dorëzuar një herë mallin që ministria kishte porositur, duke mohuar se kanë marrë sërish në dorëzim sasinë prej 300 byzylykësh të mbikëqyrjes elektronike.
/Oranews.tv/