Skandali i byzylykëve, Ministri i Drejtësisë urdhëron nisjen e hetimit

830

Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, ka urdhëruar nisjen e një hetimi administrativ lidhur me skandalin e  byzylykëve të  mbikqyrjes elektronike të personave që kanë masë ndaluese për veprat penale. 

Sasia prej 300 byzylykësh që kap vlerën e 2 milionë eurove,  siç ka konstatuar ministria e Drejtësisë i është rikthyer në kundërshtim me ligjin  kompanisë private të kontraktuar e cila është një bashkim  operatorësh ekonomik.

Burimet i thanë Ora News, se pjesë e këtij hetimi për shkelje të ligjit janë  grupi i specialistëve të shërbimit të provës por edhe të ministrisë së Drejtësisë, që kanë firmosur dokumentin me numër protokolli 834 të datës 11 prill për dorëzimin e 300 byzylykëve, tek bashkimi i operatorëve.  Po ashtu edhe pse në letrën  afati i fundit që ministria përcaktonte  kompanisë për dorëzimin e  pajisjeve ishte data 3 gusht, një përfaqësi e bashkimit të operatorëve kanë zhvilluar një takim me ministrin ku mësohet se  u  është  lënë një afat deri ditën e martë për tu kthyer mbrapsht 300 byzylykët e blerë.

Ndryshe Bardhi ka theksuar se ndaj tyre do të depozitohet kallzim penal në prokurori. Po të njëjtat burime nga Ministria e Drejtësisë, theksuan për Ora News, se ministri Gazmend Bardhi për këtë çështje i   është drejtuar me një shkresë edhe departamentit të administratës publike, pasi sipas tij personi ekskluziv që është marrë me  procedurat e tenderimit dhe firmosjen e kontratës për blerjen e byzylykëve elektronik dhe ndjekjen e procedurave mbi to, ka qenë sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni.

Ministri Gazmend Bardhi në shkresën që Ora News publikoi të dielën,  hedh   dyshime   për fiktivitet të tenderit  dhe mos përputhje të pajisjeve me specifikimet në kontratë.  Ndërsa Bashkimi i operatorëve gjatë korrespondencës që kanë patur me ministrinë e Drejtësisë pretendojnë se kanë dorëzuar një herë mallin që ministria kishte porositur, duke mohuar se kanë marrë sërish në dorëzim sasinë prej 300 byzylykësh të mbikëqyrjes elektronike.

/Oranews.tv/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: