Skenarët për Himarën, Beleri fitoi garën kundër PS, beteja e radhës është në gjykatë

Politika

Fredi Beleri fitoi garën për të drejtuar bashkinë e Himarës për 4 vitet ardhshme.

Rezultati që mori e ndan vetëm me 19 vota diferencë nga rivali i tij Jorgo Goro.

Beteja në këtë bashki rezultoi e fortë në shumë drejtime dhe zhvillime.
Për shembull, ka 165 vota të pavlefshme, të cilat nese do të shkonin në krahun e humbësit mund të përmbysnin rezultatin.

Beleri vetë nuk votoi, pasi dy ditë para zgjedhjeve u mbyll në qeli, i arrestuar për shit-blerje vote dhe tashmë duhet të provojë që është i pafajshëm, që të drejtojë i lirë për 4 vite bashkinë.

Pengesa tjetër që ka Beleri është minoranca në këshillin bashkiak. Himarjotët votuan atë, por jo koalicionin Bashkë Fitojmë, që ai përfaqëson.

Jorgo Goro mund të kërkojë rinumërim, nisur nga rezultati i ngushtë, me shpresën për të gjetur gabime njerëzore në fletë. Por, edhe nëse ky skenar mban sërish në krye Belerin, skenari tjetër që mund ta rrëzojë është fajësia.

Ai mund të shkarkohet nga posti i kryetarit të bashkisë nëse dënohet nga gjykata për shit-blerje vote, ose të përfshihet në një ngërç juridik, ku t’i lejohet betimi, dhe të drejtojë bashkinë nga qelia.

Vetë Edi Rama është shprehur se nuk ka kontestime për procesin dhe rezultatin në Himarë.