Takimi Tsipra – Vuçiç

Greqi

Kryeministri grek Alexis Tsipras, gjatë një takimi të nivelit të lartë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Selanik, përveçse ka rikonfirmuar marrëdhëniet strategjike me Beogradin, ka çuar edhe mesazhe ndaj Shkupit dhe Ankarasë.

I pyetur sesi do të veprojë Athina për çështjen e emrit të fqinjit të saj verior, ai ka deklaruar se Greqia që kërkon gjithnjë stabilitet në Ballkan, kërkon edhe si kusht për integrimin europian të Shkupit, një zgjidhje për një emër që do të përdoret nga të gjithë, duke theksuar se ky stabilitet kalon nëpërmjet luftës kundër nacionalizmave në brendësi të Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Presidenti Vuçiç nga ana e tij, teksa ka rikujtuar se Greqia nuk njohu pavarësinë e Kosovës dhe Beogradi nuk ka treguar shumë respekt për këtë fakt, ka kritikuar paraardhësit e tij dhe është shprehur se mbështet Athinën për këtë çështje. Greqia, investitori i tretë i huaj në Serbi, ka nënshkruar 4 marrëveshje bashkëpunimi me palën serbe në sektorët e energjisë, transportit, rrjeteve dhe turizmit.