Prof. Doc. Fane TARIFA / Që keni dalë nga gjiri ynë s’e mohojme dot, por që jeni me shumë se produkt tragjiko-komik, bile një farsë e vertetë, edhe këtë s’kemi si ta mohojmë. Po si dolën në krye të shoqërisë këta lloj njerëzish, kjo farë, kjo specie, kjo kreaturë e shoqërisë sonë, dhe pse pikërisht ata patën mundësitë dhe aftesitë për të monopolizuar politikën, e më vonë bashkë me të dhe nëpermjet saj edhe pushtetin dhe gjithë ekonominë ?
Shkrimtari i madh francez Emil Zola duke ju referuar veprës së Viktor Hygoit, thekson se… “në kohën e kthesave të mëdha nga gjiri i shoqërisë dalin në krye karrieristët, servilët , spiunët ,mashtruesit, hajdutët dhe kriminelët, sepse ata mendojnë dhe ndjejne se u erdhi dita, kanë guximin dhe paturpësinë të rrëmbejnë dhe të shkatërrojnë gjithçka! Me ta bashkohet edhe pasuria dhe janë ata që bëjnë ligjin.
Të kulturuarit, njerëzit e ndershëm, intelektualët e virtytshëm në këto momente stepen ,hutohen ndrydhen brenda vehtes, sepse pasuria nuk mund të bashkohet me ta,sepse atyre u dhimbsen të tjerët nga vete shpirti i tyre human. Kjo gjë do ta pengonte shoqërinë të ecte përpara, të kundërtat u bashkuan dhe pjella e tyre është sfida ndaj realitetit!
Më vonë vjen periudha historike kur ngrihet një brez i ri, i cili arrin të kuptojë zhvillimin historik dhe kërkon e gjen rrugët e mjetet për t’ua marrë gjithçka që mashtruesit dhe hajdutët politik kanë përvetësuar në mënyrë të padrejtë.
Qe jeni aq shumë të shqetësuar për fatet e këtij populli, aq sa edhe gjumin nuk e bëni rehat edhe këtë e kuptojmë, se aq bukur i keni bërë gjerat, sa nuk e lodhni fare popullin.
Më shumë ju shqetëson fakti se në cilat banka të huaja të vendosni depozitat tuaja, si të fshehni më mirë gjurmët e pisllëqeve të panumërta dhe për këto nuk e bëni gjumin rehat !
Rri ti popull !
Mos u lodh dhe mos e vre mendjen se ke bijte e tu( me te guximshmit kriminele) qe i dalin zot vendit,se i marrin ata te gjitha , ti vetem ferko duart dhe duartrokit, shitu per nje kothere buke, dhe ji i kenaqur!!!!!!
Ja shiko !
-Vendi lundron mbi naftë dhe për të mirën tënde çmimi i naftës është më i larti në Europë.
-Kemi rezervat nga më të mëdha ujore në botë dhe popullit i jepet ujë me orar, ose dhe nuk i jepet fare se i bën dëm.
-O sa shumë universitete janë ngritur, por mbi to qëndrojnë diplomat fallco dhe doktoraturat fallco, se me to bëhesh pushtetar dhe politikan rangu. Nuk e ka thënë kot ai “I dituri” se ta dija që universiteti ishte kaq i lehte, kisha mbaruar edhe të mesmen.
-Shiko si e kanë bërë shendetësinë fare falas , paçka se duhet ta fusesh mire dorën në xhep në çdo rast, bile duke filluar nga sanitaret dhe duke përfunduar mirë e mirë tek mjekët, që nuk të “qethin ” por të “rruajnë ” mirë !
-E pse habitemi kur kanë gjetur formulën magjike, që më mirë t’i lemë njerëzit pa punë e të varfër, se ashtu nuk bëhen njerëzit obeze, pra s’vuajnë nga mbipesha , ndryshe do shtoheshin problemet mjekësore.
-Po për vehte që s’kanë marrë asgjë,as prona as asete,bile janë vetëm me nga tre a katër vila, që lodhen me mirëmbajtjen e tyre dhe ne të tjerët duhet t’ua qajmë hallin , bile duhet të shtërngojmë rripin dhe të mbledhim ndihma për “tartufët” tanë të mrekullueshëm.
– Pa le pastaj se, për të mirën e popullit, pjesët më të majme të pasurisë kombëtare, ua kanë dhënë për një kafshatë bukë të huajve, duke marrë ndonjë “dhurate simbolike” për vehten e tyre dhe kjo bëhet në emër të thithjes së investimeve të huaja, që në fakt jo që nuk investohet, por vetëm vidhen dhe përvetësohen pasuritë e këtij populli.
-Po për ata qindra mijëra te rinj e të reja që morën rrugët e mërgimit dhe që shpesh janë vrarë, torturuar, përbuzur dhe keqtrajtuar.
– Si nuk e vratë pakëz mendjen o “baballarët” e kombit, apo vetëm u pëlqenin çfarë ata dërgonin në atdhe, dhe nuk u është bërë fare vonë se ç’ndodhte me ‘ta !As të drejtat më elementare njerëzore për të cilat keni detyrim ndaj emigrantëve, juve s’u ka bërë syri terr, por me servilizëm ndaj të huajve keni dhënë ndonjë buzëqeshje dhe kaq !
-O sa shumë janë “të kënaqur”me ju gjithë emigrantët, që tashmë pas kësaj periudhe 25- vjeçare kanë zbuluar njohjen tuaj , janë përballuar me genjeshtrat dhe mashtrimet tuaja dhe e ndjejnë mirë “makuterinë ” që evidentoni !
-E shihni more njerëz se çfarë vuajtje kanë kaluar në këto 25 vjet këta politikane dhe pushtetarët tanë !
-Së fundmi për të nderuarit politikanë, që i kanë bërë kaq mirë hesapet për vehten e tyre, mirë do ishte t’u thuheshin ca fjale falenderimi e respekti :
-Per ne pensionistët, që keni menduar kaq mirë sa mezi ta mbajmë frymën, mirë do ishte që të na puthnit pakëz ne prapanice, që ta kishim kujtim në botën tjetër.
-Për bëmat tuaj ligjore me ligje favorizuse për vehten tuaj, qe jeni gjithnjë në unison ju themi;
-Ju jeni pjella më e keqe e këtij kombi, që me aromën tuaj keni fëlliqur gjithë këtë komb, prandaj me të drejtë mund të themi në mënyrë simbolike; “Ju na rripni e na shtrydhni dhe gjakun na e pini”
-O kukudhër dhe lubira,hosana baraba !
Jeni despotër me buzeqeshje banale, masovike me thikën mbas shpine si satrapër, jeni autokratë që vidhni,vrisni dhe nuk ngopeni kurrë. Jeni diktatorë që e mashtruat ditë e natë këtë popull të vuajtur.
Mjerë vendi dhe populli, që po e vret shpresën duke duartrokitur për ju !