Tërmeti/ Rama mbledh me urgjencë ministrat, deputetët dhe kryebashkiakët

Aktualitet

Pas mbledhjes së qeverisë gjatë mesnatës së djeshme , kryeministri Edi Rama mbledh sot grupin parlamentar të Partisë Socialiste, bashkë me ministrat dhe krerët e bashkive në orën 11:00.

Në mbledhjen e zhvilluar mbrëmjen e djeshme me urgjencë, Rama deklaroi se të gjithë strukturat do të jenë të angazhuara në shërbim të qytetarëve. Ai vlerësoi punën e bërë për normalizimin e situatës menjëherë pasi ra tërmeti i fuqishëm.

Mbledhja e qeverisë u shoqërua edhe nga një lëkundje e fuqishme me magnitudë 4.9. Në atë moment e kishte fjalën ministri Sandër Lleshaj i cili ndërpreu për pak fjalën duke ngritur kokën lart. “Po përpiqem dhe unë të mos më lëkundet zëri”, u shpreh Lleshaj.

Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin për në New York me të marrë vesh lajmin për tërmetin e fuqishëm që tronditi vendin.