Totozani në Selanik për çështjen e sigurimeve të emigrantëve

Emigracioni

totozani -2Avokati i Popullit Igli Totozani është takuar me emigrantë shqiptarë në Selanik të Greqisë, ku ka ndërmarrë dhe angazhimin për zgjidhjen e çështjes së sigurimeve shoqërore të emigrantëve.
Në këtë takim ka qënë i pranishëm edhe homologu i tij grek, Vassilis Karydis.” “Është shkelje e rëndë e të drejtës së çdo individi që të humbasë përfitimin e pensionit në moshën e tretë, ndërsa ka kontribuar me dekada të tëra duke punuar për shoqërinë, pavarësisht se në cilin shtet ka jetuar. Shoqëria ka detyrimin të shpërblejë çdo individ për kontributin e dhënë gjatë një jete”, tha z. Totozani.
Ai kërkoi nga homologu i tij grek të mirëpresë dhe trajtojë me përparësi çdo ankesë që kanë emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë dhe kontribuojnë prej vitesh në vendin fqinj. “Është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucioneve tona në ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta për të lehtësuar procedurat dhe burokracitë me të cilat përballen emigrantët shqiptarë”, tha z. Totozani.
Ai vlerësoi edhe angazhimin e deritanishëm mes dy institucioneve, Avokatit të Popullit shqiptar dhe Ombudsmanit grek që përmes presionit pozitiv të ushtruar ndaj qeverive të dy vendeve u gjet një zgjidhje për çështjen e toponimeve në pasaporta.
Marrë : Top Channel