Tragjedi në azil, vdesin dy të moshuar

Aktualitet

Një tragjedi ka ndodhur mëngjesin e së hënës në qendrën e të moshuarve në Poliçan. Dy të moshuar humbën jetën si pasojë e një zjarri që dyshohet se nisi nga një batanije në dhomën e tyre.

Tahir Senka, 84 vjeç, nga fshati Lybesh dhe Mustafa Kaceli, 81 vjeç, nga fshati Veleshje janë asfiksuar nga tymi. Si shkak fillestar mendohet të jetë një cigare e ndezur. Ndërhyrja e kujdestarëve e ka penguar zjarrin të përhapet në dhomat e tjera.

“Kanë qenë më duket gjysmë të paralizuar. Ata pinin duhan dhe u dogjën batanijet”, thonë të moshuarit e tjerë.

Bashkia e qytetit të Poliçanit që ka nën administrim qendrën e të moshuarve deklaroi se ka pezulluar nga puna drejtoreshën dhe dy kujdestaret e turnit, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Drejtoresha Aurora Doko është thirrur në prokurori për të dhënë dëshminë e saj. Personeli i qendrës është ankuar shpesh se vetëm me 13 punonjës nuk mund të kujdeset siç duhet për të moshuarit, disa prej të cilëve vuajnë nga çrregullime mendore. Në këtë qendër jetojnë 50 persona, mes të cilëve të moshuar të braktisur nga Qarku i Beratit, por dhe ish të burgosur nga qytete të ndryshme të vendit si dhe të ardhur nga Shkodra për shkak të rikonstruksionit të azilit të qytetit.