Greqi, të paktën 16 refugjatë të mbytur. 4 gra, një fëmijë

1028

Një varkë me refugjatë, e nisur nga brigjet turke drejt Greqisë, është mbytur pak pas mesnatës së të dielës në zonën detare në veri të ishullit Lesbos.

Sipas pjesëtarëve të Rojes Bregdetare greke, të paktën 16 persona kanë humbur jetën, midis tyre 4 gra dhe një fëmijë i vogël. Nëntë prej trupave të viktimave janë gjetur nga anijet greke dhe ato të “Frontex”, kurse 7 të tjerë nga Marina turke.

Një grua shtatzënë, e gjetur e gjallë në det, është transportuar në spitalin e ishullit, ndërsa është shpëtuar edhe një grua tjetër, e cila ka dëshmuar se në varkën e nisur nga Turqia ndodheshin të paktën 25 refugjatë të kombësive të ndryshme, ndërsa mbytja e saj ndodhi brenda pak çasteve. Në zhvillim ndodhet operacioni i mjeteve të Agjencisë së Ruajtjes së Kufijve Europianë “Frontex”, Marinës greke dhe peshkarexhave të ishullit, për të zbuluar nëse ka të mbijetuar të tjerë, ndërsa kushtet e motit janë të mira. Varka e mbytur ndodhet në një thellësi prej 70 metrash dhe sa më shumë kalojnë orët, organet greke shprehen se numri i viktimave mund të jetë më i madh.Tragjedia e re risjell edhe njëherë skenat e dhimbshme me qindra mijëra refugjatë, kryesisht nga Siria, që duke rrezikuar jetën kaluan në vitin 2015 ujërat e Egjeut, nga brigjet turke drejt ishujve grekë, dhe shumë prej tyre nuk ia arritën.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: