Studentët shqiptarë nga të gjitha trevat u bënë bashkë sot në zemër të Tiranës, në një marshim solidarizues për të drejtat e bashkëmoshatarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut.
Nga sheshi ”Skënderbej” deri pranë Ambasadës së RMV-së, jehonuan thirrje në mbrojtje të gjuhës shqipe, ndërsa të rinjtë përcollën mesazhin e unitetit mbarëshqiptar. Krahas studentëve nga Shqipëria, protestës iu bashkuan edhe të rinj nga Kosova, duke e kthyer marshimin në një simbol të përbashkët reagimi.
”Tirana, Shkupi, Prishtina janë bashkë”, ishte një nga thirrjet që dominoi protestën, e organizuar dhe drejtuar nga vetë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Në fokus të kërkesave ishte mundësia që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, një kërkesë që protestuesit e cilësuan si të drejtë themelore dhe jo privilegj.


