DENDIAS PAS TAKIMIT ME RAMËN: “E KONSIDEROJ HIMARËN SI ORIGJINËN TIME”

Politika

TIRANË – Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, ka zbuluar disa nga temat e diskutuara gjatë takimit me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Tiranë.

Përmes një postimi në platformën “X”, Dendias bëri të ditur se gjatë bisedimeve është diskutuar për situatën gjeopolitike në rajon, ndërsa ka ndalur vëmendjen edhe te Himara, për të cilën tha se e konsideron si vendin e origjinës së tij.

“Pata mundësinë të flas për Himarën, ku e konsideroj origjinën time, dhe të përsëris qëndrimin tim se Pakica Kombëtare Greke është një urë miqësie midis dy shteteve dhe popujve”, shkroi ministri grek.

Ai theksoi gjithashtu se gjatë takimit me palën shqiptare është rënë dakord për mbledhjen në një afat sa më të shpejtë të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për çështjen e varrezave ushtarake.

Vizita e Dendias në Shqipëri përfshiu edhe një takim me Kryepiskopin Joan në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Deklaratat e ministrit grek vijnë në një moment kur marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës vijojnë të mbeten në fokus të diskutimeve diplomatike, veçanërisht për çështjet që lidhen me minoritetin grek dhe bashkëpunimin dypalësh.