Vdes në moshën 84-vjeçare Theodoros Pangalos

Greqi

Në moshën 84-vjeçare “u nda nga jeta” ish-ministri i qeverisë së PASOK-ut, Theodoros Pangalos. Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur përmes një postimi të familjes së tij në Twitter.

“I dashuri ynë Theodoros Pangalos na la sot, i qetë në shtëpi, me familjen dhe bashkëpunëtorët e ngushtë pranë tij. Udhëtim të mbarë i dashuri ynë. Do ju kujtojmë gjithmonë me dashuri”, theksohet në postimin e familjes së tij.

Ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Athinës dhe Ekonomi (Doktor i Shkencave Ekonomike) në Universitetin e Parisit I (Pantheon Sorbonne) me bursë nga qeveria franceze.

Me aktivitet të rëndësishëm në lëvizjen studentore dhe anëtar themelues i Rinisë Lambrakis, ai luajti një rol aktiv në luftën kundër diktaturës, si rezultat i së cilës iu hoq shtetësia greke nga junta në vitin 1968.

Nga viti 1969 deri në vitin 1978 ka punuar në Sorbonë si mësues dhe studiues i emëruar në zhvillimin ekonomik, planifikimin bujqësor. Ai ka qenë edhe Drejtor i Institutit të Zhvillimit Ekonomik të të njëjtit Universitet. Në vitin 1981 zgjidhet për herë të parë deputet i PASOK-ut, detyrë të cilën e mbajti vazhdimisht deri në vitin 2012.

Ka qenë zëvendësministër i Tregtisë (1982), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme për Çështjet e Komunitetit Evropian (1984), Zëvendësministër i Punëve të Jashtme (1985-1989). Gjatë periudhës 1989-1993 ai u emërua Përfaqësues i Parlamentit Grek në Këshillin e Evropës.

Në tetor 1993 u betua sërish si zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në korrik të vitit 1994 mori detyrën e Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve. Në janar të vitit 1996 u betua si Ministër i Punëve të Jashtme, duke kryer detyrën deri në shkurt 1999.

Në prill të vitit 2000 u betua si Ministër i Kulturës, duke mbajtur detyrën deri në nëntor të vitit 2000. Ai ishte Kryetar i Delegacionit Grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Evropian Perëndimor dhe në Këshillin e Evropës.

Në qershor 2003, përfaqësuesi i PASOK-ut u emërua në Këshillin e Politikës së Jashtme. Në nëntor 2004 emërohet Koordinator i fushatës parazgjedhore të PASOK-ut. Ai u rizgjodh anëtar i Këshillit Politik të PASOK-ut dhe u emërua përgjegjës për Sektorin e Zhvillimit, Konkurrueshmërisë dhe Politikës së Konsumatorit. Më pas ai mori përgjegjësinë për Departamentin e Vetëqeverisjes, Administratës Publike dhe Drejtësisë, ndërsa sot drejton Departamentin kritik të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Në shtator të vitit 2006, ai mori detyrën e Raportuesit të Përgjithshëm të PASOK-ut në procedurat për Rishikimin e Kushtetutës. Nga viti 2004 deri në zgjedhjet e 2009, ai përfaqësoi Parlamentin grek në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Evropian Perëndimor dhe në Këshillin e Evropës. Më 6 tetor 2009 u betua si zëvendëskryeministër. Ai e mbajti detyrën deri në maj 2012.

Ai ishte autor i shumë artikujve dhe librave të ndryshëm, ndër të cilët veçohen “Globalizimi dhe e majta” (2001), “Profetët kalimtarë – ngërçet e neoliberalizmit dhe lëvizjet shoqërore në epokën e globalizimit” (2005), “Evropa në udhëkryq. ” (2005), “Ndërhyrja në çështjet aktuale” (1994) dhe “Greqia në Komunitetin Europian” (1988). Ai ishte i martuar me Christina Christofakis dhe baba i pesë fëmijëve.