VELIAJ KERKESE NË ILD : TË PEZULLOHET PROKURORI OLS DADO, MË KËRCËNOI DHE…

Aktualitet

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë një kërkesë për procedimin disiplinor dhe pezullimin nga detyra të prokurorit Ols Dado, lidhur me shkeljet që prokurori i SPAK, sipas kryebashkiakut, ka kryer në shqyrtimin e çështjes penale.

Në kërkesën e tij, Veliaj tregon me detaje për konfliktin e interesit që Prokurori Olsi Dado ka në çështjen e hetimit ndaj tij, duke theksuar se ky prokuror “ka përdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve për të kërkuar leje ndërtimi për përfitimet e tij”. Veliaj thotë në kërkesë se pasi kërkesa e Dados për miratim të kateve shtesë iu refuzua prej tij, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, më pas prokurori “iu vërsul” me shprehje kërcënuese e shantazhuese.
Kërkesa e plotë e Veliajt për ILD dhe KLP:

“Thelbi i kërkesës të depozituar nga ana ime konsiston te qëndrimi që unë kam bërë publik për largimin nga çështja të prokurorit ndërtues zotit Ols Dado, i cili nuk mundet kurrësesi të jetë objektiv në përfaqësimin e akuzës të ngritur ndaj personit tim.

E them këtë, pasi Ols Dado ka përdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve për të kërkuar leje ndërtimi për përfitimet e tij, dhe pasi kërkesa e tij për miratim të kateve shtesë iu refuzua, “u vërsul” me shprehje kërcënuese e shantazhuese.

Prokurori i çështjes, i cili ka ngritur akuzat ndaj meje, nuk duhej të pranonte hetimin e shkaqeve të ngritura në kallzimin penal të depozituar nga i ashtuquajturi “Nesti Angoni”, pasi Olsi Dado ka përfituar sipërfaqe ndërtimore miratuar me vendimin nr. U-14078/4, datë 09.09.2021 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe lejen e ndërtimit nr. U-14078/6, datë 21.09.2021.

Është e vërtetë që leja e ndërtimit i është akorduar subjektit zhvillues/ndërtues, shoqërisë “Alb Edil” sh.p.k, por referuar kontratës së sipërmarrjes nr. Rep 2040, nr. Kol 803, datë 06.05.2021 pala porositëse dhe përfituese njëkohësisht, është prokurori i çështjes kundër titullarit të institucionit që ka dhënë lejen e ndërtimit, pra personit në hetim Erion Veliaj.

Siç e parashtrova edhe më lart, fakti që përfitues nga procedura e dhënies së lejes së ndërtimit është prokurori Olsi Dado është i pandryshueshëm, pasi e vërteton dokumentacioni bashkëlidhur kërkesës time.

Telefonatat e prokurorit, i cili shpreh pakënaqësinë në lidhje me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit, dëshmojnë qartë qëllimin keqdashës të zotit Ols Dado për të pasqyruar në dosjen hetimore fakte të pavërteta.

Edhe nëse zoti Ols Dado nuk do të ushtronte ndikimin e tij në lidhje me lejen e ndërtimit, mjafton vetëm fakti se është përfitues, për t’u vërtetuar konflikti i interesit.

Thjesht fakti që prokurori është subjekt përfitues nga leja e ndërtimit, do të thotë se ndodhet në konflikt të hapur interesi, e për pasojë nuk duhet të kishte përfaqësuar akuzën që në krye të herës.

Në një rast hipotetik, (interpretim i kundërt), si për shembull, sikur zoti Ols Dado të ishte favorizuar nga titullari i Bashkisë Tiranë, përsëri do të kishte konflikt interesi, pasi edhe nëse faktet e pretenduara në dosjen hetimore të ishin të vërteta, do të ishte lehtësuar pozita e të dyshuarit në hetim.

Pra, në të dyja rastet prokurori Dado është në konflikt të hapur interesi.

Ligji Nr.96/2016, datë 30.8.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 102, pika 1, germa a/b/iii përcakton shprehimisht se:

“Shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit janë në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet apo mosveprimet ose sjelljet e magjistratit si më poshtë:

a) Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla

b) Paraqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes nëse ky veprim:

iii) Nuk kryhet menjëherë pasi merr dijeni për shkakun.

Sa më sipër, bazuar në nenin 127 të ligjit Nr.96/2016 do të kërkoja nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullimin e prokurorit, zotit Ols Dado nga detyra e tij si prokuror, sipas parashikimeve në nenin 151, të këtij ligji, ose të kërkojë vetë pezullimin e magjistratit për arsyet e parashikuara në nenin 152 të këtij ligji.

Në këto kushte dhe përsa parashtroj më sipër, bazuar në nenin 184 e vijues të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor”,

Kërkoj:

– Fillimin e procedurave për procedimin disiplinor ndaj prokurorit, zotit Ols Dado, lidhur me shkeljet e kryera në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të personit tim, Erion Veliaj.