Vota e Diasporës, si hapi i parë drejt zërit të saj real në politikë

Kryesore Opinion

Nador Bakalli/

Përgjithësisht, ne jemi popull që mbartim dhe shprehim opinion dhe interes në politikë. Duke përfshirë Diasporën, të paktë janë shqiptarët të cilëve nuk u intereson fare politika. Duke patur parasysh këtë, dikush mundet të mendojë se me gjithë këtë interes që kemi për politikën, sot duhet të kishim një sistem politik të konsoliduar dhe të zhvilluar.

Realiteti është krejt ndryshe. Sistemi ynë politik është i kapur dhe nuk ka prodhuar zhvillim. Energjitë politike të shqiptarëve dhe vëmendja ndaj politikës, sidomos atyre të Diasporës, aktualisht nuk përkthehet aspak në përmirësimin e saj, dhe rrjedhimisht, jetës së qytetarëve me banim në Shqipëri.

Sot, diaspora shqiptare nuk ka mekanizmin bazë për të shprehur mendimin e vet politik: votën nga vendbanimet, ose thënë ndryshe, Votën e Diasporës. Nuk ka as përfaqësim me ulëse të dedikuara në Kuvendin e Shqipërisë.

Diaspora flet, por nuk voton. Diaspora kontribuon 16% të PBB-së, por nuk voton. Diaspora paguan taksa, por nuk voton. Diasporës i bëjnë elozhe dhe e ngrejnë në qiell, por nuk e lenë të votojë. Diasporën e konsiderojnë më të mirën e shqiptarisë, por e mbajnë të përjashtuar. Kjo është panorama e sotme politike e Diasporës.

Më tepër se gjysma e popullsisë sonë jeton sot jashtë kufijve të Shqipërisë. E drejta e votës nga vendbanimet u është mohuar për 32 vite qytetarëve shqiptarë.

Vota e Diasporës është një nga instrumentet se si ne do të shprehim mendimin dhe shqetësimin tonë për mënyrën se si qeveriset vendi. Është një e drejtë që Kushtetuta e Shqiperisë na e sanksionon. Vota e Diasporës një votë e drejtë, e sinqertë dhe e pandikuar nga interesa të momentit. Diaspora nuk është e kapur nga vendet e punës në shtet dhe shit-blerja e votës. Një shqiptar që jeton jashtë atdheut, ka më tepër të drejtë morale të votojë se ata që jetojnë në Shqipëri dhe abstenojnë, shesin votën apo votojnë për parti që rrënojnë vendin. Asnjë nuk duhet të ketë frikë prej saj. Ajo do ta bejë më të shëndetshëm procesin e votimit e përfaqësimit në Shqipëri.

Unë dhe Lëvizja “Diaspora Për Shqipërinë e Lirë” kemi mbi dy vjet që përpiqemi pa reshtur për ta mundësuar këtë proces dhe kemi bindjen se do ta realizojmë. Lëvizja ka në përbërje ekspertët më të mirë shqiptarë që ofrojnë garanci, logjistikë dhe ekspertizë ndërkombëtare për të implementuar me sukses të drejtën e votës. Kemi lobuar fort ndërkombëtarisht dhe kemi punuar në heshtje mbi aspektet teknike të realizimit të procesit.

Vota e Diasporës do të jetë hapi i parë drejt fillimit të fundit të tranzicionit. Do të jetë katalizatori i zhvillimeve të mëdha në politikë, me efekte madhore. Do të pastrojë sistemin, do të rrisë standardet dhe do të përmirësojë ndjeshëm ofertën politike.

Ftoj bashkatëdhetarët në Kanada të bashkohemi në përkrahjen dhe mundësimin e votës së diasporës.

Ajo na përket të gjithëve.