Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve publikon të dhënat për shpenzimet e partive në fushatën e 25 qershorit. Sipas të dhënave vetëm në Tiranë, PS ka paguar 4 milionë lekë. Ekspertët ende nuk kanë paraqitur të dhënat për partitë e tjera politike.
Ekspertët e financave të angazhuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë publikuar të dhënat paraprake mbi fushatën e partive politike për zgjedhjet e 25 qershorit.
Sipas të dhënave, nuk ka pasur shkelje që do të vinin në diskutim procesin zgjedhor përsa i përket organizatave të partive.
Përsa u përket shpenzimeve deri më tani janë bërë publike të dhënat e Partisë Socialiste, teksa mësohet se ekspertët po punojnë për një draft përfundimar të detajuar edhe për partitë e tjera.
Rezulton se nga takimet elektorale, tubimi në kryeqytet ka qenë më i kushtueshmi për PS. Për këtë janë shpenzuar plot katër milionë lekë, nga të cilat 2 milionë janë dhënë për 10 mijë flamuj që u janë shpërndarë pjesëmarrësve.
Kjo duke nënvizuar se një flamur vlen 200 lekë. Po ashtu 200 mijë lekë janë shpenzuar për fishekzjarre dhe nga 80 mijë lekë për një ekran të madh, ndriçimin dhe foninë.
Mitingu i dytë më i shtrenjtë renditet Fieri më 1.8 milionë lekë shpenzime nga të cilat 400 mijë janë për tullumbace dhe 200 mijë për fishekzjarre.
Në Durrës janë shpenzuar 980 mijë lekë prej të cilave 800 mijë janë dhënë për 4 mijë flamuj. Në Sarandë po ashtu janë shpenzuar 91 mijë lekë, ndërsa në Gramsh 295 mijë, ku 60 mijë janë dhënë për dronin i cili ka filmuar aktivitetin.
Përsa i përket zyrave elektorale, ekspertët shprehet se PS i ka marrë zyrat me qira, por në momentin e verifikimit dokumenti nuk ka qenë në ambiente.
Përsa u përket shkeljeve rezulton se ekspertët kanë vërejtur shpërndarje të materialeve propagandistike prej LSI në një distancë më të largët nga sa e lejon ligji në disa raste.
Ndërsa rezulton se partia “Mega” nuk ka pasur zyra për fushatë, ndërsa pavarësisht se kanë qenë në fushatë, partitë e vogla nuk kanë pasur zyra në shumë rrethe.
Sa i përket LIBRA, SFIDA apo FRD, aktiviteti politik konsiderohet brenda ligjit. Megjithatë për fushatën elektorale, do të ketë një tjetër raport të plotë prej ekspertëve.