Daja: Kupa objektiv, por besojmë edhe te kampionati

206

Nga Tonin Frroku/Klevis Deda

Trajneri i Skënderbeut Ilir Daja vlerëson rëndësinë që ka Kupa e Shqipërisë, por ai thekson se objektivi numër një është fitimi i kampionatit. Ai kërkon nga skuadra e tij të hipotekojë kualifikimin që në ndeshjen e sotme në mënyrë që të jenë të qetë ndeshjen e kthimit dhe të përqendrohen në ndeshjet e kampionatit. Trajneri shprehet se shanset për tu shpallur kampion janë zbehur, pas humbjes nga Partizani, por që thekson se në lojë janë 27-të pikë dhe mund të ndodhë gjithçka.

Pas humbjes në kampionat ndaj Partizanit, mos vallë kupa është ajo që e mban në lojë Skënderbeun për të marrë një trofe?

Sigurisht që ne do të përqendrohemi te ndeshja e sotme e kupës për vetë faktin se kur ke arritur në gjysmëfinale të këtij kompeticioni duhet ta respektosh për vetë rrugëtimin që ka bërë ekipi në këtë moment. Por, duke mos e shkëputur vëmendjen nga kupa, dhe duke u përqendruar tek ajo paraqitje që bëmë në kampionat pavarësisht rezultatit jam i mendimit që nëse ruajmë atë paraqitje të bërë me atë lloj dëshirë jemi sërish në lojë edhe në kampionat. Pavarësisht se për t’u treguar i sinqertë është vështirësuar goxha. Por, përderisa janë edhe 27 pikë në lojë dhe ekipi im nuk është vënë në vështirësi nga asnjë ekip tjetër gjatë kësaj faze, pse të mos besojmë deri në fund tek titulli. Gjithsesi ne duhet të përqendrohemi te takimi i Kupës, që zgjidhet pas 180 minutash, por nesër (sot) duhet të bëjmë një hap të sigurt në mënyrë që të mos komplikojmë gjërat në ndeshjen e kthimit.

Sa ndikojnë në moralin e ekipit rezultatet e fundit të marra nga Skënderbeu?

Unë do të thosha që ngërçi ka qenë vetëm në drejtim të rezultateve, pasi edhe ekipi edhe lojtarët kanë qenë pro lojës që kemi zhvilluar me Partizanin. Kjo do të thotë se një ekip që pretendon për titullin kampion ta mbash për pjesën më të madhe në zonën e vet dhe të pësosh vetëm një situatë para portës tënde, ta dominosh fizikisht është një siguri. Kështu që gjendja psikologjike nuk mendoj se është e lëkundur. Ekipi duhet të ruajë këtë ritëm dhe të jetë i motivuar maksimalisht, që ashtu siç bëmë me Partizanin, të bëjmë edhe në vazhdim, edhe në Kupë. Por të mos kalojmë në aventurë pasi kupa ka një specifikë tjetër nga kampionati dhe çdo gol i pësuar është minus i madh.

Daja, 4 ndeshje, 3 pikë. Çfarë po ndodh me Skënderbeun?

Na mungon fati në një pjesë të mirë të kampionatit, pasi të gjitha takimet e tregojnë këtë duke përfshirë Tiranën, Kukësin dhe Partizanin. Përveç rezultatit fati nuk ka qenë me ne. Në të kaluarën Skënderbeu ka qenë edhe me keq se tani në pozita, por në fund ka fituar.

Daja do e bëjë këtë gjë?

Ne shpresojmë deri në fund, nëse mendojmë që do jemi të gjithë grup e arrijmë suksesin. Këtë herë është më e vështirë pasi luajmë kundër dy ekipeve që duhen arritur. Por me atë që kemi treguar është shumë e rëndësishme ndeshja përballë Flamurtarit që mund të kthejë qetësi në ekip.

Mos ndoshta Kupa është ngushëllim?

Kupa është objektivi jonë i dytë, pasi kampionati është primar. Por meqenëse jemi në gjysmëfinale do të mundohemi ta marrim këtë takim.

Prisni një Teutë që do të luajë në mbrojtje?

Natyrshëm që nëse do të dalë me barazim është një plus për ta. Por shkuarja në finale vendoset në 180 minuta. Do të jenë dy ndeshje të hapura, por ne nuk do ta lemë për ndeshjen e kthimit. Do të bëjmë reflektim në raport me rezultatet e javëve të fundit. Potenciali që ka Skënderbeu është më i madh. Ai ekip që do të japë maksimumin në fushë do të ketë mundësi të kalojë më tej.