Emigrantët ne Greqi : “Takim Kulturash” në qytetin e Larisës

632

aktiviteti ne focus-2Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi me ftesë të Bashkisë së Larisës, do përfaqësojë kulturën shqiptare në aktivitetin kulturor me titull “Takim Kulturash”.
Aktiviteti do të zhvillohet në dt 12 dhe 13 Dhjetor, në sheshin qendror të qytetit dhe organizohet nga Bashkia e Larisës në kuadër të promovimit të vlerave si qytet kandidat: “Kryeqyteti Europian i Kulturës 2021”. Marrin pjesë komunitete të ndryshme si; komuniteti shqiptar, spanofonët, frangofonët, latinofonët, komuniteti bullgar, komuniteti rus, grupe të folklorit grek, si dhe grupe muzikore e valltarësh nga vende të ndryshme të Europës etj. Përveç atmosferës festive dhe shpalosjes së kulturave të ndryshme, Bashkia e Larisës, është kujdesur që të gjithë pjesëmarrësit të kenë në dispozicion një kioskë ku të prezantojnë aty produkte artizanale dhe jo vetëm, të traditës së vendit të origjinës.
Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi do të marrë pjesë në këtë aktivitet artistiko-kulturor me një sërë grupesh artistike, me potencial të spikatur vlerash dhe reflektues të denjë të folklorit shqiptar në diasporë si grupet polifonike; “Vllazërimi” dhe “Lot Kurbeti”, grupi i rapsodëve të veriut “Zëri i vendlindjes”, këngëtarët e njohur të muzikës së lehtë dhe popullore Teuta e Mikel Zhapa dhe grupi i valltareve.
Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me bashkëpunëtoren e Federatës në qytetin e Larisës znj. Bona Gjika, do të paraqesim produkte artizanale të traditës së bukur e të lashtë shqiptare, si pjesë e pandarë e kulturës shqiptare. Nga programi artistik për prezantimin e folklorit shqiptar, grupet do të kenë mundësinë më dt. 13 Dhjetor që për 2 orë të shpalosin vlerat e mëdha të folklorit shqiptar. Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma një-zërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj.

FTOJMË të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në qytetin e Larisës, në rrethinat e saj, nga qytetet fqinje si Volosi, Trikalla, Kallabaka etj,. të jenë të pranishëm për të shijuar një program artistik të mrekullueshëm nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe të marrin një shije edhe më të këndshme rreth produkteve artizanale të kulturës tonë të lashtë.