Ëngjëll Musai: Oligarkët pronat në Himarë, grekët detin me naftë

85

Ëngjëll Musai

Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Projektligji i ri për krijimin e “Korporatës së Investimeve”, nuk është një vendim i marrë rastësisht nga qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama. Përkundrazi, ai është një veprim i mirëmenduar dhe i përgatitur prej disa vitesh, por që konkretizohet pikërisht tani me ligjin që pritet të formalizojë marrjen dhe shfrytëzimin e pronave në bregdetin më të bukur ndoshta të Mesdheut.

Të gjithëve na kujtohet veprimi i qeverisë Rama në mandatin e parë, e cila dërgoi në bregdetin e Himarës, IKMT-në, e cila filloi prishjet e objekteve të ndërtuara buzë detit dhe në zonat më të bukura të Rivierës së Jugut. Madje, nuk u kursyen as objektet e kultit dhe justifikimi ishte projekti për urbanizimin e zonës dhe të ndërhyrjes në zonat urbane.

Për këtë pati shumë debate, përplasje, konflikte, të cilat përfshinë qeverinë shqiptare, qeverinë greke, deputetë dhe grupe lobiste në Shqipëri, Greqi deri në SHBA. Pati edhe shumë takime mes ekspertësh të ndryshëm të nivelit teknik dhe më vonë mes dy kryeministrave Rama dhe Cipras. Përfundimi ishin disa retorika që linin të kuptoni se jemi në mbrojtje të banorëve, por do gjejmë mënyrën për dëmshpërblim dhe me kaq ‘veprimi justifikon mjetin’.

Por çfarë fshihej pas saj? Janë një grup biznesmenësh, të cilët i kishin piketuar prej vitesh këto pasuri kombëtare dhe vetëm tashmë u poqën kushtet, që jo vetëm t’i përvetësojnë, por edhe t’i përfitojnë falas. Ndërtimet e para dhe justifikimi se, nëse vlera e ndërtimit është disa herë më e madhe se toka, i kalon falas ndërtuesit ose oligarkut, edhe pse ai e ka zaptuar dhe masakruar pasurinë mbarëkombëtare. Ka shumë arsye dhe shumë elementë të rëndësishëm, që tregojnë, se pas kësaj loje fshihen shtetarët e dy qeverive, greke dhe asaj shqiptare.

Qeveria greke, pas debateve justifikuese për gjoja mbrojtje të banorëve dhe “minoritarëve”, nuk u ndie më. Qeveria shqiptare, pas prishjeve dhe pastrimit të terrenit nga “ndërtimet pa leje” miratoi me shpejtësi ligjin për Korporatat e Investimeve, ku pronat shtetërore i shpërndahen oligarkëve, që shumica e tyre janë ortakë të klaneve qeveritare. Po qe se këto prona do rishpërndaheshin, le t’i liheshin atyre që janë vendalinj dhe të bliheshin prej tyre. Por jo. Kjo pasuri, më shumë se sa vlera financiare, ka të bëjë me faktin, se këtë bukuri nuk e gjen dot në të gjithë Mesdheun, deri në Italinë e Verilindjes, apo Slloveni dhe Kroaci.

Këto prona nuk kanë tapi, nuk kanë pronarë dhe janë tërësisht prona shtetërore. Për këtë arsye u bë riorganizimi dhe grupimi i Hipotekës, ALUIZNI dhe kthimit të pronave një dorë të vetme, për ta pasur më të lehtë mbylljen e qarkut të marrjes dhe përvetësimit me ligj dhe në kohë të shpejtë dhe të sigurt.

Po ç’hyn këtu pala greke? – do të thotë dikush! Pa dyshim që po. Liderët e të dy vendeve, nëpërmjet zyrave të fuqishme lobiste dhe ato të avokaturës, kanë rënë dakord që pronat në Himarë nuk kanë për pronarë “minoritarët”, por shtetin shqiptar.

Në këmbim të saj shteti shqiptar do të lejojë palën greke që të marrë pjesën e detit, pas të cilës fshihen miliarda dhe triliarda euro pasuri të naftës, gazit dhe hidrokarbureve të tjera. Deklarata e një zyre avokatie greko-amerikane me qendër në SHBA, e bërë para disa muajsh për ekstremistët helenë, se nuk duhet të merremi më me tokat në bregdetin e Himarës, sepse nuk janë më tonat, tregojnë se po kjo kompani lobiste ka garantuar pazaret mes oligarkëve shqiptarë dhe atyre grekë.

Njëra palë merr tokën dhe pala tjetër merr detin. Ata që fitojnë janë oligarkët e të dyja anëve, në Shqipëri dhe Greqi. Ata që humbasin janë vetëm shqiptarët dhe banorët e zonës. Ajo që nuk mund të kalojë pa trajtuar, ka të bëjë me rolin e Ramës dhe Cipras, nëse janë aktorë apo faktorë të kësaj iniciative…