Futbolli më shumë se një lojë! Legjendat e Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Turqisë bashkë zemrat për tërmetin

236

Emocion, spektakël dhe solidaritet në “Air Albania Stadium” nga katër përfaqësueset e legjendave: Shqipëria, Greqia, Italia dhe Turqia, në mbështetje të familjeve të prekura nga tërmeti.

Ky organizim u mundësua nga Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë dhe FSHF. Sonte u luajtën 3 ndeshje nga 35 minuta, 2 gjysëmfinalet: Shqipëri-Itali 1-1 (ku Italia fitoi me penallti), Turqi 0-1 Greqi dhe në finale Italia triumfoi ndaj Greqisë me rezultatin 1-0. Simbolikë e bukur ishte edhe fakti që Italia fituese drejtohej nga ish-tekniku kuqezi Gianni De Biasi.

Në dispozicion të trainerit Ilir Shulku ishin kuqezinjtë: Strakosha, Curri, Hasi, Dallku, Lala, Skela, Murati, Rraklli, Dede, Shaqiri, Tare, Beqaj, Nexhipi, Jupi, Bushi, Bulku, Duro, Bogdani dhe Aliaj.

Formacioni i Italisë përbëhej nga: Chimenti, Zaccardo, Tonetto, Colonnese, Marcolin, Tommasi, Esposito, Perrota, Paganin, Di Biago, Carbone.
Formacioni i Turqisë përbëhej nga: Kulbilge, Korkmaz, Haspolatli, Asik, Atalay, Kabze, Aurelio, Yilmaz, Sanli, Karan, Arslan.
Formacioni i Greqisë përbëhej nga: Theofanis, Kotsios, Leonidas, Ioannis, Papadoupolos, Karagunis, Kiassos, Panagiotis, Ivan, Chrysafis, Gkekas.

Trofeun e këtij turneu, fituesve të Italisë ua dorëzoi Presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka, i cili i përgëzoi ata dhe i falenderoi të katër skuadrat për gjestin e tyre human. Presidenti Duka shprehu mirënjohjen edhe ne kanalet e tij të komunikimit në mediat sociale.

Presidenti i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë, Andi Lila në fjalën e tij u shpreh më se i kënaqur lidhur me këtë eveniment. “Falënderoj miqtë që na u përgjigjen,të gjithë që ndihmuan, dhe FSHF-në, që ishte mbështetësja jonë kryesore, sepse pa ato nuk mund të arrinim në këtë nivel organizimi. Ishte ndeshje vëllazërore sepse sot ishte ndeshje ku erdhën solidarizimi e miqësia.”

Më herët gjatë ditës ish-futbollistët e katër vendeve vizituan Thumanën dhe Bubqin. Të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave të kësaj ndeshjeje do të shkojnë për familjet në zonat e prekura.