Grafiku i vetëvrasjeve, si krahasohet Shqipëria me Europën

86

Edhe pse fenomeni ka qenë në rritje në Shqipëri, në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë vijon të mbetet më i ulët se mesatarja e tyre.

Nga të dhënat e marra nga INSTAT për numrin e vetëvrasjeve dhe llogaritjet e Monitor për vitin 2016, numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë ishte 8. Ndërsa në 2017-n, numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë ishte 6.2.

Mesatarja e Bashkimit Europian për numrin e vetëvrasjeve për 100 mijë banorë është 11 me të dhënat e fundit të vlefshme të për gjithë vendet anëtare ( viti 2015).

Megjithëse në rritje, treguesi është më i ulët krahasuar me të gjithë vendet e rajonit, apo vendet europiane, Nga vendet e rajonit, Serbia ka numrin më të lartë të vetëvrasjeve për 100 mijë banorë, ku në 2015-n norma e vetëvrasjeve ishte 19.9 banorë. Në Malin e Zi, norma ishte 12.5, në Maqedoni 9.9, në Bosnje 7.1.

BE: Norma e vetëvrasjes më e lartë në Lituani, më e ulët në Qipro dhe Greqi

Nga 5.2 milionë vdekje të raportuara në Bashkimin Europian në 2015, rreth 56 mijë (1.1% e totalit) ishin vetëvrasje. Thuajse 8 në 10 vetëvrasje (77%) ishin meshkuj dhe rreth 31% e tyre i përkisnin grupmoshës 45 dhe 60 vjeç.

Në vlerë absolute, Gjermania (10 200 vdekje) dhe Franca me 9200, ishin dy vendet anëtare që regjistruan numrin më të lartë të vetëvrasjeve në 2015, të ndjekura nga Polonia me 5400, Mbretëria e Bashkuar me 4700, Italia me 4000 dhe Spanja me 3600.

Sidoqoftë, për një krahasim më të relevant midis shteteve, vlera absolute është rregulluar duke marrë në konsideratë strukturën dhe madhësinë e popullsisë.

Me 30 vetëvrasje të regjistruara për 100 mijë banorë, Lituania ka deri më tani numrin më të madh të vetëvrasjeve mes shteteve të Bashkimit Europian. Ndiqet nga Sllovenia me 21, Letonia dhe Hungaria, me 19 secila, Belgjika dhe Kroacia me 17 dhe Estonia me 16. Në anën tjetër norma më e ulët është shënuar në Qipro me 4 vetëvrasje për 100 mijë banorë, Greqia me 5, Italia me 6, Mbretëria e Bashkuar me 7, Spanja dhe Malta së bashku me 8.

 

Në Shqipëri, meshkujt më të dobët, Lezha, qarku me më shumë vetëvrasje

Meshkujt janë ata që dorëzohen më shpejt përpara vështirësive të jetës, me 68% të vetëvrasjeve në total. Rekordi është në Elbasan ku 12 meshkuj vranë vetën në 2017-n dhe vetëm një femër.

Rrethi që ka më shumë vetëvrasje në vlerë absolute është Tirana, me 37 persona që e kanë ndërprerë jetën përpara kohe (65% ishin meshkuj). Por, nëse i llogarisim sipas numrit të banorëve, kryeqyteti shqiptar rezulton i fundit, me 4.3 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Qarku më problematik është Lezha, me 13.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë, i ndjekur nga Korça (11.2), Berati (9.9), Durrësi (9.1).

Qarku ku kryhen më pak vetëvrasje në fakt është ai më i varfëri, Kukësi, me 2.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Në total, në Shqipëri në vitin 2017 u regjistruan 6.2 vetëvrasje për 100 mijë banorë. Ky është një ndër nivelet më të ulëta në rajon, pas Greqisë me 5.4, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që i referohen vitit 2015. Në rajon kryeson Serbia me 19.5 vetëvrasje për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Mali i Zi (12.4), Maqedonia (9.9), Bosnja (7.1). Italia e ka këtë tregues 8.7, ndërsa mesatarja globale është 10.7.