Kotzias-Bushati, takohen në nëntor “për të zgjidhur sa më shumë probleme dypalëshe”

107

Robert Goro /

Ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë do të takohen muajin e ardhshëm në Kretë, në përpjekje për të finalizuar zgjidhen e sa më shumë problemeve dypalëshe.

Lajmi është dhënë gjatë një konference për shtyp nga ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, në Athinë.

“Pesëmbëdhjetëditëshin e parë të nëntorit do të kemi një takim me udhëheqjen e ministrisë së jashtme të Shqipërisë, me ekspertë dhe specialistë. Qëllimi ynë është të diskutojmë gjithë çështjet evidente që burojnë qoftë nga historia, apo për çështje të sotme, që kanë rezultuar. Kemi vullnetin që t’i zgjidhim problemet, pse nuk duam që t’i gjejmë përpara gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kam shpjeguar që nëse këto probleme nuk zgjidhen, në negociata do të ketë vështirësi”, deklaroi Kotzias, duke shtuar se “zgjidhja diku është e lehtë, diku e vështirë. Diku mund të bëhet menjëherë, diku kërkon kohë. Prandaj dhe kemi rënë dakord që zgjidhja e tyre të jetë një paketë e vetme. Domethënë mund të biem dakord që këtu kemi gjetur një zgjidhje iks, një zgjidhje ypsilon”.
Ministri Kotzias tha se funksionon një grup koordinimi që drejtohet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë së jashtme për palën greke dhe nga zëvendësministri i jashtëm për palën shqiptare.Në këtë grup diskutohen problemet më të vështira, punojnë të gjithë bashkë që të përpiqemi të zgjihim pojesën më të madhe të problemeve. Po të zgjidhen, do të mund të kemi dhe takime të llojeve të tjera. Ne duam që të zgjidhen problemet”.
Në konferencën për shtyp, ministri i jashtëm grek u pyet nga Tribuna nëse ishte koha e përshtatshme për takimin e Kretës, pas tensionimit të ri të raporteve shqiptaro-greke, shkaktuar nga deklarata Athinës, që ndërlidhte zhvillimet në çështjen “Tahiri” me zhvillimet në Himarë, si dhe përgjigjen e Tiranës, që akuzonte palën greke për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë.
Kotzias sqaron akuzat për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë
Në përgjige të pyetjes së Tribunës, ministri i jashtëm grek tha se në deklaratën e Athinës kishte një pikë që “pala shqiptare fillimisht nuk i kushtoi vëmendje”. Në deklaratë thuhej që “shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, lidhur me hamendësimet se shembja e banesave në Himarë bëhej për të larguar vëmendjen e opinionit nga çështja “Tahiri”.
Unë mendoj se ishte gjë shumë e mençur që predispozicioni për t’u “shembur” banesat në Himarë –le ta quaj kështu në mënyrën më xhentile- nuk u materializua. Besoj se është një vendim i mençur i palës shqiptare që i ndihmon negociatat”, u shpreh ministri i jashtëm grek. 
Kotzias u ndal bukur gjatë në shpjegimin e qëndrimit grek ndaj ligjit për pakicat që u miratua më herët këtë muaj nga Parlamenti shqiptar.
Ligji i ri për minoritetet në Shqipëri do të gjykohet nga Europa. Si një vend anëtar i BE-së kemi mendimin tonë dhe e shprehim në Bashkimin Europian. Ligji dha një sërë të drejtash, jo vetëm një minoriteti siç njihej nga e drejta ndërkombëtare që nga 1921-shi, por u dha 9 minoriteteve – qofshin ato etnike, qofshin gjuhësore.
Ai është një ligj i mirë. Prandaj dhe ne thamë që është një hap përpara. Cila është dobësia e ligjit dhe për ne është një hap mbrapa sa i përket minoritetit të madh? Se vazhdon të mbajë zonat minoritare. Do të më thotë një politikan shqiptar “Po cilat zona? Ne themi se minoritetet ekzistojnë kudo në Shqipëri”. Po, mirëpo ligji bën një gjë: U referohet minoriteteve mbi bazën e përcaktimit të regjistrit të gjendes civile.
Mirëpo gjendjet civile, p.sh. në Himarë, nuk lejonin që të shkruhej minoriteti grek. Domethënë, ndërsa ligji i ri është liberal dhe i mirë, pikënisja e tij që janë regjistrat e gjendjes civile, e përsërit problemin që kishte minoriteti grek në kohën e Enver Hoxhës”. 
“Ky është problemi që themi ne. Që bëtë një ligj të mirë, mirëpo në vend që qytetarët të vetëpërcaktohen -domethënë të jetë dikush turk, grek, shqiptar, çfarë të dojë- ligji parashikon përcaktimin mbi bazën e gjendjes civile. Mirëpo kjo ishte caktuar nga Hoxha, i cili e kishte ndaluar regjistrimin jashtë kufijve të zonës. Kjo është çështja dhe konsiderojmë se është e padrejtë”.
Gjithsesi, ministri i jashtëm grek tha se ai nuk është “tifoz i asaj që ushqen inatin e momentit dhe këtë e bëj një fenoment konfliktual konstant në marrëdhëniet midis shteteve”.
Dhe vazhdoi:
Jam tifoz i asaj që unë si vend, me kulturën dhe historinë që disponoj kam përgjegjësi më të madhe për fatet e rajonit. Nuk them që ngase jemi më të fortë duhet të na bindeni. Përkundrazi, them që kemi përgjegjësi më të madhe. Dhe prandaj nuk u përgjigjem në çdo rast deklaratave të ministrive të tjera të jashtme. Për mua, politika ndërkombëtare nuk është një sherr i dy njerëzve të inatosur, ku unë duhet të shaj më shumë apo t’i ngre më lart tonet. Kur e kuptoj se gjërat nuk shkojnë mirë, duhet ta trajtoj këtë në mënyrë më të matur, më gjakftohtë dhe më me durim. Dhe prandaj besoj që, edhe po të ketë shkëmbim deklaratash të ashpra të cilave pala jonë nuk u jep vazhdim, negociatat mund të bëhen. Dhe madje, t’ju them dhe diçka? Dëshmohet se duhet t’i mbyllim çështjet Sepse, po të mos i mbyllim, çdo ditë do të na dalë dhe një problem i tillë”, theksoi ministri i jashtëm grek./Tribuna/