Kryeministri : Të gjithë Prefektët do shkojnë në Durrës, në terren deputetë e ministra

44

Kryeministri Edi Rama ka zhvendosur të gjithë prefektët, Forcat e Armatosura, deputetët dhe ministrat, në qytetin e Durrësit, ku pasojat e tërmeteve ishin më të mëdha dhe më shkatërruese.

Në mbledhjen e sotme me Prefektët në Ministrinë e Mbrojtjes, kreu i qeverisë tha se të gjithë prefektët do të spostohen në Durrës për të nisur menjëherë komunikimin me qytetarët, që janë prekur më shumë nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë.

“Gjëja e parë që kërkoj është që të gjithë ju, edhe prefektët e ardhur nga qarqet e tjera, të spostoheni në Durrës, me synimin që çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që dje gjatë gjithë natës ka qëndruar jashtë të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktohet për t’u dëgjuar.

Ju të gjithë këtu, plus strukturat atje të Policisë së Shtetit dhe ato të mirëqenies sociale të organizohen dhe shpërndahen në mënyrë të struktura, me destinacione konkrete dhe brenda ditës së sotme, para se të vijë nata, duhen kontaktuar të gjithë, sy më sy. Do të angazhohen edhe deputetët, edhe ministrat, sepse është një moment psikolog që kapërcehet me komunikim”, tha Rama.