Përleshje me armë mes dy grupeve në lokal, tre persona përfundojnë në spital

353

Nga Fatos Salliu

Një përplasje me armë mes dy grupeve ka ndodhur dje në një lokal në Elbasan. Nga kjo përleshje kanë mbetur të plagosur tre persona. Ngjarja ndodhi në anë të rrugës Elbasan-Metalurgji, në fshatin Bradashesh, në ambientet e një restoranti. Shtetasit K. Gjini, H. Çopja dhe A. Gjini të tre me banim në Elbasan, përfunduan në spitalin Kirurgjik të Elbasanit pas një përplasje të dhunshme, e cila ka nisur fillimisht me sharje dhe fjalë fyese në lokal dhe ka degjeneruar më pas me goditje me sende të forta për të përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit. Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes pohuan se dy vëllezërit, K, dhe A., Gjini kanë qenë me një mik tjetër duke drekuar në njërën prej tavolinave të restorantit. Ndërsa në tjetrën ndodhej shtetasi H. Çopja, bashkë me disa persona të tjerë. Por në një moment mes tyre nisi një konflikt verbal, duke përdoruar sharje dhe fyerje reciproke. Pas konfliktit, të dy grupet dalin jashtë dhe nisin të përleshen me njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta, sherr që ka vazhduar për disa minuta. Më pas situata ka degraduar duke përdorur armët e zjarrit. “Gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ata ishin të ulur në tavolina të ndryshme dhe brenda disa sekondave filluan të gjuheshin dhunshëm me njëri-tjetrin. Ishte një katrahurë e vërtetë”, janë shprehur dëshmitarët e shumtë në vendin e ngjarjes.

Sherri

Të dy grupet kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri. Mbi 20 të shtëna pistolete janë dëgjuar duke e kthyer sheshin para lokalit në një fushë-betejë të vërtetë. Nga kjo përleshje kanë mbetur të plagosur me armë K. Gjini dhe H. Çopja. Ndërsa shtetasi A. Gjini ka marrë plagë të rënda në trup pasi është qëlluar me sende të forta. Pas sherrit dhe të shtënave, të plagosurit janë transportuar për në spital ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga spitali kirurgjik bënë me dije se H. Çopja ka marrë një plumb në shpatull ndërsa K. Gjini një plumb në afërsi të kokës. Ata i janë nënshtruar një ndërhyrje të gjatë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forca të shumta policore të cilat kanë rrethuar zonën përreth. Njëkohësisht policia ka shoqëruar për në komisariat disa dëshmitarë okularë, që kanë parë gjithë skenën e ngjarjes. Në një komunikatë zyrtare policia citon se “ka konstatuar se në konflikt ishin përfshirë 4-5 persona. Si pasojë e konfliktit me sende të forta e më pas me armë zjarri janë plagosur tre persona nga këta, dy me armë zjarri e një me sende të forta dhe konkretisht K. Gjini, është plagosur me armë zjarri, H. Çopja është plagosur me armë zjarri si dhe shtetasi A. Gjini është dëmtuar me sende të forta. Shtetasit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Konflikti dyshohet të ketë nisur midis shtetasve A. Gj., dhe H. C. Shtetasit A. Gj., dhe K. Gj., rezultojnë rezidentë në Angli.” Grupi hetimor mbërriti në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorinë nisi punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Po ashtu, mësohet se në vendngjarje janë gjetur 20 gëzhoja plumbash të cilat janë administruar në cilësinë e provës materiale. Njëkohësisht janë ushtruar kontrolle në automjetet e tyre që ndodheshin pranë lokalit. Duket sikur gjithçka ka lindur pas një grindje banale mes dy grupeve. Por hetuesit kanë ngritur edhe pista të tjera mes të cilave edhe ajo e konflikteve të mëparshme.

Shkaku

Dy vëllezërit Gjini, të cilët janë rezident në Angli, dyshohet se janë konfliktuar me grupin e shtetasit H. Çopja për motive të dobëta. Burime nga policia e Elbasanit bënë të ditur se mes dy grupeve në fjalë janë hedhur fjalë të rënda, çka ka degjeneruar më pas deri në konflikt me armë. Pjesëtarët e dy grupeve kanë qenë duke konsumuar drekë në restorant dhe në një moment lindi sherri mes tyre. Ndërkohë, grupi hetimor ka shkuar në vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe ka bërë sekuestrimin e kamerave të lokalit. Sipas burimeve, pamjet që gjenden në këto kamera do të ndihmojnë në gjetjen e motivit të saktë të këtij sherri masiv që shkaktoi plagosjen e tre personave.