Serbi-Shqipëri “riluhet” në Lozanë me 17 prill

297

Dserbia e vogelata 17 prill do të përcaktojë fundin zyrtar të ndeshjes Serbi-Shqipëri, të ndërprerë me 14 tetor në Beograd pas racizmit dhe dhunës ndaj futbollistëve shqiptarë. Pas vendimeve të Komisioneve të Disiplinës dhe  Apelit të UEFA-s, që dënuan Shqipërinë me humbjen e  ndeshjes në tavolinë për “refuzim kthimi në fushë”, duke injoruar atë që kishte ndodhur realisht në stadiumin “Partizan” të Beogradit, FSHF apeloi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) të Lozanës. Dje është mësuar se seanca gjyqësore do të zhvillohet me 17 prill, duke caktuar më në fund fatin e kësaj ndeshje që ka bërë bujë në arenën ndërkombëtare edhe për shkak të ngjyrimeve politike. FSHF kërkon vetëm tri pikët nga CAS, duke shpresuar që ai të vendosë jashtë ndikimit politik që kushtëzoi UEFA-n.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës të UEFA-s, i lënë në fuqi pak kohë më vonë nga Komisioni i Apelit të këtij institucioni, u mundua të vinte një barazi mes dënimeve. Shqipëria humbi ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 për “refuzim kthimi në fushë”, por Serbia nuk iu gëzua 3 pikëve, pasi ato iu hoqën nga klasifikimi si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e saj. Të dy federatat u gjobitën me 100 mijë euro, ndërsa Serbia u urdhërua të luante dy ndeshjet e radhës në fushën e saj pa praninë e tifozëve. Drejtuesit e Federatës Serbe pranuan publikisht se kishin shpëtuar mirë, pasi i ishin frikësuar përjashtimit nga të gjitha aktivitetet pas kontakteve që kishin pasur si me Mishel Platini, ashtu edhe me Sep Blater. Por ashtu si Shqipëria, ata vendosën të çonin çështjen në CAS të Lozanës, si shkallë e fundit gjyqësore që do t’i jepte fund diskutimit juridik rreth këtij takimi.

FSHF nuk ka ngurruar ta cilësojë si “politik” vendimin e marrë nga UEFA, ndërsa ka bindjen e plotë se CAS nuk do të ketë një ndikim të tillë. Ndaj nuk është rastësi që FSHF-ja përfaqësohet ligjërisht në këtë çështje me një nga ekspertët më të njohur të jurisprudencës sportive, i specializuar për CAS-in, avokatin Antonio Rigozi të studios “Lévy Kaufmann-Kohler” në Gjenevë. Që në fillim, drejtuesit e FSHF bënë të qartë se shpresat për një vendim në favor ishin të gjitha të mbështetura te CAS, që është jashtë juridiksionit të organizatave sportive dhe nuk ka ngurruar të hedhë poshtë vendimet e tyre kur e ka parë të arsyeshme, edhe kur ato kanë qenë krejtësisht politike.

serbia 55Rasti më i bujshëm në të cilin CAS i Lozanës ka dalë hapur kundër UEFA-s dhe FIFA-s është ai i Federatës së Gjibraltarit. Ndonëse ky shtet nuk njihet si i pavarur nga OKB, ai fitoi të drejtën e anëtarësimit në UEFA falë vendimit të dhënë në vitin 2006 nga CAS i Lozanës. Pavarësisht kundërshtimit publik të drejtuesve më të lartë të UEFA-s, kjo e fundit u detyrua t’i jepte anëtarësimin shtetit të vogël me më pak se 30 mijë banorë, duke e regjistruar në eliminatoret e Euro 2016 dhe në kampionatet e moshave. Meqë FIFA vazhdon të refuzojë anëtarësimin e Gjibraltarit dhe pjesëmarrjen e kombëtares në aktivitetet që ajo organizon, drejtuesit e Federatës së këtij vendi po bëhen gati për një tjetër “vizitë” në CAS të Lozanës gjatë këtij viti, me shpresën që ta fitojnë aty këtë të drejtë.

“Shqipëria kërkon tri pikët në tavolinë, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj futbollistëve shqiptarë nga huliganë që invaduan fushën, për shkak të hedhjes së sendeve dhe flakadanëve në fushë dhe për koret me fyerje raciste, që kanë vazhduar gjatë gjithë ndeshjes”, shkruhet në njoftimin e djeshëm të FSHF-së. Por CAS i Lozanës mund të marrë edhe vendimin alternativ, atë të riluajtjes së takimit apo vazhdimit pas minutës së 41-të ku u ndërpre përballja fillestare, ndonëse do të jetë thuajse i pamundur organizimi i një tjetër ndeshjeje mes palëve, sidomos për mungesën e datave të lira në kalendarin e FIFA-s. Meqenëse ngjarjet e Serbi-Shqipëri janë unike në historinë e futbollit botëror, CAS i Lozanës nuk ka një precedent ligjor mbi të cilin mund të bazohet për të marrë vendimin e tij.serbia 66