Vasili: Konsensusi për reformën në drejtësi do të vijojë edhe me 7 ligjet

289

vasili per ReformenKryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh sot i bindur se konsensusi i arritur për reformën në drejtësi do të vijojë edhe me 7 ligjet.

“Po ecim në një rrugë të re, ka mjaft tabu të rrëzuara, mjaft mure të shembura të moskomunikimit, politika e konceptuar në mënyrë krejt të ndryshme. Reforma në drejtësi, ndryshimet kushtetuese na imponojnë të ecim në këtë rrugë edhe për 7 ligjet, besoj se do kemi realizim konsensual dhe në kohë”, u shpreh Vasili në një intervistë televizive. Vasili shtoi po ashtu se “çdo gjyqtar do i nënshtrohet procesit të vettingut”.

I pyetur nëse ka një tendosje në marrëdhëniet PS-LSI, Vasili u shpreh se “marrëdhënia PS-LSI është në sytë tuaj dhe matet me atë çka realizohet në sallën e Kuvendit ku ka konsensus dhe një motivim reciprok për të realizuar punët e shtetit të cilat i bashkërendojmë me korrektësi dhe seriozitet”. “Kjo ndërton edhe qëndrimin tonë në koalicion. Sa i takon thashethemeve tendosje, apo ç’tendosje këto nuk janë punët tona”, tha Vasili.

“Ne jemi përpara fillimit të sesionit parlamentar, do miratojmë ligjin e buxhetit, kemi ende shumë punë për të bërë, kemi detyra të mëdha para, pastaj kemi kohë për taktikat elektorale. Kemi edhe implementimin e reformës në drejtësi. Na pret një punë e madhe dhe me përgjegjësi të lartë”, shtoi ai, i pyetur nëse LSI shkon bashkë me PS-në në zgjedhjet parlamentare. /ATSH/