Në kuadër të samitit të NATO-s që po zhvillohet në Bruksel, kryeministri Edi Rama është takuar me homologun grek, Aleksis Tsipras.
Gjatë takimit, Rama e ka vënë theksin tek nevoja e progresit për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe. “Greqia na ka mbështetur dhe ne dëshirojmë që ajo të vijojë mbështetjen në procesin e integrimit”, ka thënë Rama. Ndërsa Tsipras ka shprehur mbështetjen e fortë të Greqisë për reformat për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Të pranishëm në takim kanë qenë edhe ministrat e Jashtëm, Bushati e Kotzias.
Kryeministrat diskutuan mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shprehën mbështetjen e tyre ndaj iniciativës së dy Ministrave të Jashtëm për një mekanizëm konsultimesh intensive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e trashëguara nga e kaluara si dhe për nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve.
Palët nënvizuan rolin e posaçëm të komunitetit shqiptar në Greqi, si dhe vlerësuan hapat e rëndësishme të ndërmarra për integrimin social dhe ekonomik të shqiptarëve në Greqi.
Kryeministri Rama theksoi nevojën e përparimit drejt gjetjes së zgjidhjeve për mosmarrëveshjet ekzistuese midis dy vendeve, në respekt të praktikave më të mira europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare. “Greqia na ka mbështetur dhe dëshirojmë që të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Kryeministri Tsipras shprehu mbështetjen e fortë të Greqisë ndaj reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri si dhe rëndësinë që ai i kushton respektimit të të drejtave të pakicës greke në vendin tonë.
Palët ranë dakord se vetëm gjetja e zgjidhjeve konkrete me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të dy popujve do të forcojë mirëbesimin midis dy shteteve dhe do të na largojë nga retorikat konfliktuale e ngërçet e së shkuarës.