26 vjet mite e zhgënjime…

1153

Afrimi ne focus news-02Afrim KRASNIQI  /  Në ditën e Evropës (9 maj 2016) kryeministri i Shqipërisë konfirmoi për të tretin vit në post dhe për të njëzetegjashtin vit në rangun zyrtar që mban, rëndësinë, besnikërinë, angazhimin dhe synimin e natyrshëm dhe konsensual të shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Njëherësh në të njëjtin fjalim ai kritikoi “veshët e të llastuarve në Francë, Angli, Holandë, apo kudoqoftë tjetër, që e marrin paqen, sigurinë, dhe atë çfarë kanë gjetur gati si të mirëqenë, si diçka që u takon njëherë e përgjithmonë dhe madje që nuk u takon ta ndajnë më të tjerët”. Janë dy pikëpamje politike që tejkalojnë ligjërimin politik dhe aktet rutinë të elitës politike. Ato simbolizojnë evoluimin në perceptim dhe trajtim të konceptit të Evropës 26 vjet pasi shqiptarët e varfër dhe të sapodalë nga izolimi mbushën sheshet me thirrjet utopiste, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Ndjenja evropiane dhe integruese e viteve ’90 ishte sa romantike, aq edhe shpresa e shansi i vetëm për të fituar kohën e humbur, për të fituar të drejtën e mohuar historike dhe për të hedhur bazat e forta për një jetë më të mirë, më të sigurt dhe mbi të gjitha, më të begatë e në dinjitet. E parë në këtë kontekst, koncepti “Evropë” dhe “integrim” atë kohë përzihej me konceptet e të jashtëzakonshmes, zgjidhjes finale, ëndrrës duke u shndërruar nga një lajtmotiv politik në një mit të paprekshëm.

Me emrin e Evropës, me kartën e integrimit dhe mitet e krijuara rreth tyre, u zhvilluan fushata të shumta elektorale, u bënë rotacionet politike 1992, 1997, 2005 dhe 2013, u shkruan programe e fjalime të panumërta, u bënë festa të mëdha dhe u derdh pafund shampanjë në pritje mondane politike. Rezultati? Prej vitit 2009 Shqipëria është vend anëtar në NATO dhe më 2014 mori ftesën e statutit kandidat për në BE. Prej atëherë punohet për fazën tjetër, hapjen e negociatave për anëtarësim, një start drejt një rruge tjetër të gjatë deri në anëtarësimin e plotë në BE. Në dukje një proces që ecën me ritëm të matur “në drejtimin e duhur”, de facto procesi i integrimit të Shqipërisë në BE rezulton shumë më i gjatë dhe më i vonuar sesa të gjitha vendet e tjera ish-komuniste tashmë anëtare ose kandidate potenciale për anëtarësim. Shpjegimi është dhe mbetet lokal.

Dy tezat e fjalimit të kryeministrit Rama janë edhe dy tezat dominuese konsensuale në ligjërimin politik të viteve të fundit. Vitet e arta dhe utopiste kur të gjitha partitë dhe të gjithë politikanët ishin në garë për t’i thurur lavde pafund Evropës dhe për të premtuar afate minimale të integrimit të vendit në BE janë lënë pas. Elitat politike, ato tradicionale dhe ato më të reja, janë kthyer thuajse të gjithë në kritikë të modelit të tanishëm evropian mënyrës sesi BE po administron sfidat politike, ekonomike e gjeopolitike të viteve të fundit. Kjo sjellje dhe kjo formë ligjërimi mbart në vetvete disa paradokse.

  • Shqipëria nuk është një model pozitiv demokracie dhe etika e kërkon që vende me përvoja të tilla modeste të vetëpërmbahen me më shumë modesti kur diskutohet për sfida dhe politika të niveleve dhe standardeve të larta rajonale e globale.
  • Së dyti, Shqipëria ecën në një rrugë të dyzuar, nga njëra anë kërkon bisedimet e anëtarësimit dhe nga ana tjetër kërkon ndërmjetësim të BE për zgjidhjen e krizave të saj periodike në politikën e brendshme, pra dëshmon gatishmëri e potencial integrimi shumë më minimal sesa pretendimet dhe kërkesa.
  • Së treti, Shqipëria ka një bilanc të brishtë progresi në raport me standardet e kërkuara nga BE dhe një vend me bilanc të tillë, nuk ka arsye të kërkojë përgjegjësitë te standardet dhe as te BE si stacion dhe qëllim final.
  • Së katërti, në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk pritet të ketë as në vitet e afërta debate publike mbi përfitimet dhe risqet e anëtarësimit në BE, por kjo nuk do të thotë se vendet e tjera, përfshirë vende me rol e peshë shumëfish më të rëndësishëm, si Britania, Franca, Gjermania apo Holanda të mos kenë debate të tilla.
  • Së pesti, retorika e politikanëve shqiptarë mbi vlerat evropiane, advokimi i tyre mitik adresuar banorëve të BE-së ndërkohë që Shqipëria politike e qytetarët ende nuk i kanë njohur dhe implementuar në shoqërinë dhe shtetin e tyre tingëllon një kontrast domethënës.
  • Së fundi, burimi kryesor ekonomik, politik dhe institucional në Shqipëri kanë qenë dhe janë taksat, asistenca dhe mbështetja evropiane ndaj Shqipërisë, – ku bëjnë pjesë natyrshëm kontributet e qytetarëve dhe qeverive të vendeve të BE-së. Përveç kulturës së munguar të mirënjohjes, në raste të tilla nuk ka vend e arsye të qenësishme dhe as interes shtetëror për kritika, e për më tepër, për leksione dhe etiketime ndaj tyre.

Elitat përgjegjëse: investimi paralel pro & kundër integrimit

Elitat politike shqiptare e përdorën ëndrrën evropiane dhe siç rezultoi bilanci, nuk arritën të përmbushin pritshmëritë qytetare përgjatë 25 viteve. Një numër sondazhesh, studimesh dhe të dhënash të besueshme i bëjnë përgjegjës pikërisht këto elita politike për vonesat, dështimet, krizat, nivelin e lartë të korrupsionit, brishtësinë e konceptit të shtetit të së drejtës dhe kështu, për keqpërdorimin e flamurit të integrimit në funksion të interesave periodike për pushtet. Asnjë parti, asnjë politikan dhe asnjë legjislaturë parlamentare apo qeveri nuk ka pranuar përgjegjësi personale direkte ose indirekte, duke i mbetur besnik formimit kulturor e politik të periudhës përpara 1990, – adresimit të të gjitha dështimeve te kundërshtari politik dhe te faktorët e jashtëm gjeopolitikë. Paradoksalisht, në ditët e sotme ata mbeten pengesë e procesit, pasi në një proces të hapur dhe bashkësie vlerash e standardesh ata humbin shumë prej privilegjeve lokale të siguruara përmes dominimit apo përfitimit nga pushteti.

Përgjatë viteve investimi që elitat politike bëjnë në funksion të procesit të integrimit dhe investimi që bëjnë indirekt edhe kundër këtij procesi, prej disa vitesh kanë afruar ritmet e tyre duke rrezikuar të shndërrohen në procese e ecje paralele. Rastet janë të shumta: krizat politike 2009 dhe 2011, paaftësia e sprovuar e elitës politike për dialog dhe bashkëpunim, konflikti permanent politik, ritmet e larta të korrupsionit politik dhe rënies së cilësisë së përfaqësimit politik, nivelet e larta të rënies së përgjithshme ekonomike, formave të reja të kriminalitetit edhe në politikë, si dhe valët e reja të emigrimit janë e mbeten produkte konsensuale të elitës politike, dhe si të tilla, investime kundër gjithçkaje që simbolizon koncepti i integrimit, i Evropës dhe i vlerave evropiane. Për më tepër, prej vitit 2012 këtyre elementëve kritikë u janë shtuar edhe tendencat periodike të ligjërimit lokal nacionalist dhe rendjes drejt koncepteve folklorike nacionaliste, ashtu edhe dukuritë e shfaqjes së rrymave ekstremiste shpeshherë edhe me theks fetar. Të dyja këto, edhe pse në embrion, janë dhe mbeten investime me potencial negativ ndaj procesit primar integrues dhe axhendës prioritare që duhet të kishte çdo parti, qeveri, legjislaturë dhe vendimmarrje politike.

Referuar raportit me “integrimin” dhe “Evropën” Shqipëria e 2016 ka dallime esenciale edhe në fazat e para të takimit dhe të procesit. Nëse në dekadën e parë të tranzicionit në perceptimin shqiptar me “perëndim” dhe “Evropë” nënkuptoheshin modelet frymëzuese perëndimore, sot shqiptarët duhet të mësohen se me këto koncepte njësohen edhe ish-aleatët lindorë, përfshirë Bullgaria e Rumania në lindjen tonë. Nga ana tjetër, nëse në fazën e parë Brukseli kishte një zë referuar zhvillimeve në Shqipëri, këshillave dhe standardeve, prej më shumë se një dekade Brukseli vjen në Tiranë me dy zëra shpesh paralelë, ai i PES dhe ai i EPP. Të dyja dukuritë kanë pasur ndikimin e tyre simbolik në dobësimin e konceptit mitik mbi Evropën. Edhe faza e kalimit nga periudha e akteve të mëdha (nënshkrim marrëveshjesh politike, shkëmbime në nivele të larta, etj) në fazën e negociatave të panumërta teknike (disa dhjetëra kapituj teknikë), pra nga faza e vendimmarrjes së lartë politike te negociatat me burokratët dhe teknokratët, ka pasur ndikimin e vet në ç’mitizimin e procesit në sensin e rënies së entuziazmit, lodhjes dhe akoma më keq, në mësimin me status-quo-n.

Rrugëzgjidhja? Më shumë Perëndim në Tiranë

Shqipëria e vitit 2016 është shumë më e hapur, më demokratike, më qytetare, më e pasur dhe më e shëndoshë institucionalisht sesa Shqipëria e viteve ’90, por ka një dallim të madh: në vitet ’90 njerëzit kishin shpresë e besim, cilësi që e ndihmuan dukshëm shoqërinë të ecë përpara; në ditët e sotme dukshëm mungon shpresa e besimi te ndryshimi dhe e nesërmja. Mungesa e këtyre dy cilësive thelbësore për jetësimin e proceseve të mëdha reformatore, e bëjnë vullnetin politik të elitës vendimmarrëse të vetmin mekanizëm dhe të vetmin instrument referues me fuqi ndryshimi. Për shkak se elita e sotme është pjesë e elitave të djeshme ose vijim i produkt i saj, pritshmëritë dhe besimi te potencialet e saj për ndërgjegjësim e ndryshim janë dhe mbeten minimale.

Shqipëria ka burime reference në vendet e tjera, ka shansin të mësojë nga gabimet e veta, ka më shumë eksperiencë dhe ka arritur pikën fundore prej të cilës është e detyruar të dalë. Në këtë bilanc, gjendje e rrethanash, ajo ka edhe një potencial të rëndësishëm qytetar ende jashtë vëmendjes, – brezat e rinj të lindur në vitet ’90. Ky brez i ri nuk e ka përjetuar komunizmin me pasojat e tij, ndaj ka pritshmëri shumë më të larta, më cilësore, por edhe potencial që të jenë shumë më pragmatistë në zgjedhjet e tyre. Për këtë grupmoshë qytetare sloganet e integrimit janë të pamjaftueshme. Ata kanë kërkesa më të mëdha dhe më konkrete për jetën, pritshmëri që nuk e gjejnë të përmbushur nga ofertat e partive dhe qeverive. Konceptet që ata mbrojnë dhe besojnë, – shoqëria civile aktive, media e lirë dhe konkurruese, administrata e bazuar në merita, votimi alternativ dhe hapësira për më shumë shanse e më shumë demokraci, – janë idetë dhe platformat e vetme që sot mund të inspirojnë, frymëzojnë dhe sjellin ndryshim. Në rast zhgënjimi, një pjesë e tyre mund të kërkojnë rrugë të tjera reagimi, përfshirë lëvizjet radikale sociale, ofertat nacionaliste, identitetet fetare apo kulturore, etj. Nëse ky potencial është lënë qëllimisht jashtë vendimmarrjes politike nga aktorët politikë që dominojnë sistemin, për fat të keq, ata janë lënë jashtë vëmendjes edhe nga asistenca e programeve të vetë Bashkimit Evropian, organizatave dhe shteteve anëtare. Rruga e shkurtër e Brukselit, – kërkimi dhe gjetja e partnerëve për marrëveshje midis pakicës që dominon e kontrollon pushtetin, në aspektin afatshkurtër është rezultativ, por në aspektin afatgjatë është dukshëm kundër-produktiv për vetë projektin evropian në Shqipëri dhe për cilësinë e demokracisë në vend.

Në rrethana të tilla të rrethit vicioz midis qytetarëve që nuk reagojnë dhe politikanëve që nuk janë të detyruar të ndryshojnë, ironikisht, rrugëzgjidhje mbetet e kundërta e procesit integrues Tiranë – Bruksel, nevoja jetike që Perëndimi të jetë prezent dhe imponues në axhendën politike shqiptare, pra prioriteti me drejtim Bruksel – Tiranë. Shembulli më konkret janë dy nismat më serioze të vitit të fundit: ligji për dekriminalizimin dhe sidomos, reforma në drejtësi. Nëse dy paketat ligjore nuk do të kishin mbështetjen dhe investimin maksimal të faktorit ndërkombëtar në Tiranë shanset për miratimin e tyre parlamentar nga elitat tona politike do të kishin qenë minimale. Vetëm presioni politik nga jashtë, në formë direkte (përmes kushtëzimit në negociata dhe mbështetje) dhe në formë indirekte (përmes investimit te grupet qytetare civile dhe reaguese në shoqëri) mundësuan avancimin e dy paketave dhe garantojnë shanse reale për jetësimin e tyre praktik duke filluar nga legjislatura e re parlamentare 2017-2021. Duket se mbështetja nga jashtë është proces në drejtim të kundërt, por praktikat e njëjta në Kosovë, Maqedoni, Kroaci apo Bullgari, janë dëshmi se sa më i vendosur dhe aktiv të jetë faktori ndërkombëtar (SHBA dhe BE), aq më të shpejta janë rezultatet pozitive dhe aq më rezultative janë reformat strukturore dhe politike. Pesha specifike e Brukselit dhe Uashingtonit në Tiranë në vitet e fundit është e krahasueshme me periudhën e parë të tranzicionit, por shumë më e madhe sesa në vitet 2000, kur parullat e integrimit dhe sloganet mbi Evropën ishin ushqim elektoral dhe prodhonin vota.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: