555 pushtetarë të lartë batërdi me fshehjen e pronave gjatë 8 viteve të fundit.

Korrupsion

555 pushtetarë të lartë batërdi me fshehjen e pronave gjatë 8 viteve të fundit, si po mbyllen në heshtje dosjet e pasurive të ministrave, politikanëve, gjyqtarëve dhe drejtorëve të lakuar për afera madhore korruptive

Fshehja e pasurisë nga ana e politikanëve, zyrtarëve të lartë, ministrave, gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë është bërë një trend, pasi të gjithë mendojnë se nuk do të zbardhen asnjëherë burimet e të ardhurave. Kështu menduan dhe prokurorët dhe gjyqtarët, por me fillimin punë të vetingut, mbi 80 përqind e sistemit të drejtësisë të verifikuar deri më tani, kanë mbetur në rrjetën e tij. Dhe të gjithë ata që nuk kanë mundur t’i mbijetojnë vetingut, apo kanë dhënë dorëheqjen nga frika janë “djegur” vetëm e vetëm se kanë fshehur pasurinë e vënë përmes abuzimit.

Por pse deri më tani vetëm prokurorëve dhe gjyqtarëve po u zbardhet pasuria hap pas hap? Pse drejtësia e re nuk fillon hetimin pasuror për pushtetarët e lartë të korruptuar dhe kur mbi ta ka denoncime konkrete. Gazeta “SOT” ka evidentuar në raportin e ILDKP se gjatë periudhës 2014 – 2022, ky institucion ka referuar pranë Prokurorisë, strukturave të Hetimit Tatimor, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe Policisë së Shtetit, 555 zyrtarë të lartë, në të cilat janë përfshirë, ministra, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarë Bashkie, Gjyqtarë, Prokurorë, Drejtorë të Përgjithshëm, etj.

Edhe pse me ngritjen e SPAK, disa dosje janë ende në proces hetimi dhe do kalojnë aty, veçanërisht për ish-ministra, ministra, ish-deputetë, deputetë, apo krerë bashkish, pasi është detyra e SPAK të hetojë zyrtarë të lartë, pjesa më e madhe e këtyre hetimeve janë mbyllur pa zhurmë.
Gazeta SOT