Nga Artur Nura/
Presidenti kinez Xi Jinping mbajti të enjten më 25 janar një video fjalim në një pritje në Pekin organizuar për festimin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës. Ky fjalim, i publikuar në websitin e Ministrisë së Jashtme Kineze, u karakterizua nga një gjuhë diplomatike shumë planëshe e cila orienton politikën e jashtme të gjigandit aziatik kundrejt jo vetëm Francës, por edhe kontinentit europian dhe të gjithë globit.
Presidenti Jinping kujton jo ratësisht që vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës përkoi si një ngjarje madhore në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërsa me kurrajo politike kryetari Mao Zedong dhe gjenerali Charles de Gaulle hapën derën për shkëmbime dhe bashkëpunim midis Kinës dhe Perëndimit, duke sjellë shpresë për botën e cila ishte në mes të Luftës së Ftohtë.
“Gjatë 60 viteve të fundit, marrëdhëniet Kinë-Francë kanë qenë gjithmonë në ballë të marrëdhënieve të Kinës me vendet perëndimore, duke sjellë përfitime për të dy popujt dhe duke kontribuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin botëror” – tha Jinping duke i njohur kështu një rol specifik të mirëqenë Francës brënda Unionit Europian të cilin politika e Jashtme e Pekinit e ka prioritet.
Në fakt, Presidenti francez Emmanuel Macron që gjithashtu mbajti një video fjalim në respekt të përvjetorit të këtyre marrëdhënieve diplomatike, me elegancë strategjike duket që e mirëpret këtë qasje strategjike të homologut Kinez ndaj Francës ndërsa konfirmoi se 60 vjet më parë, gjenerali Charles de Gaulle doli përtej logjikës së konfrontimit në kamp dhe mori vendimin historik për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.
“Sot, të dy palët kanë përgjegjësinë për të bashkë ndërtuar mbi objektivat ambicioze të vendosura në 1964 dhe të vazhdojnë të punojnë së bashku për të ndërtuar një partneritet që jo vetëm plotëson nevojat e dy popujve, por gjithashtu kontribuon në paqen dhe stabilitetin botëror.” – shtoi Macron ndërsa ju referua së sotmes gjeopolitike të ngjashme me të atëhershmen e viteve 1964.
“Të dyja palët duhet të zhvillojnë në mënyrë të palëkundur marrëdhëniet dypalëshe dhe t’i përgjigjen pasigurive botërore me stabilitetin e marrëdhënieve Kinë-Francë.” – ka përcaktuar presidenti Xi në fjalimin e tij duke i lënë të kuptohet homologut Francez, se kanë përgjegjësi të ngjashme lidershipi sot si 60 vite më parë.
“Duke u përballur me 60 vitet e ardhshme, Kina dhe Franca do të punojnë së bashku për të krijuar lavdi më të mëdha” – shtoi Jinpig dhe u bëri thirrje të dyja palëve që së bashku të mbrojnë një botë të barabartë dhe të rregullt multipolare dhe globalizim ekonomik që është gjithëpërfshirës dhe i dobishëm për të gjithë, dhe të vazhdojnë të kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit botëror dhe adresimin e sfidave globale.
Nga ana e tij presidenti Macron jo rastësisht tha se Franca është e gatshme të shtrëngoje duart me Kinën për të adresuar sfidat globale dhe për të promovuar zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.
Duke vënë në dukje se viti 2024 është Viti i Kulturës dhe Turizmit Francë-Kinë dhe të dyja palët do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, Macron tha se të dy palët duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi për të rritur shkëmbimet midis dy popujve, veçanërisht të rinjve, dhe të vendosë një themel më të fortë për të ardhmen e marrëdhënieve Francë-Kinë.
Sipas websitit të Ministrisë së Jashtme të Kinës, të dyja vendet do të mbajnë gjithashtu një aktivitet për të festuar 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e Vitit të Turizmit Kulturor në Pallatin e Versajës në Paris më 31 janar, dhe do të transmetojnë video fjalime nga dy krerët e shteteve dhe, ky zhvillim domethenes gjeopoltik Franko – Kinez, parimisht do merret me shumë pozitivitet në korridoret e Bashkimi Europian në Bruksel.
Këtu mund të sjellim në kujtesë takimin më 7 dhjetorit 2023 te Presidentit Xi Jinping me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Pekin në kuadër të Samitit të 24-të Kinë-BE.
Në këtë takim u nënvijëzua nga të dyja palët se së fundi marrëdhëniet Kinë-BE kanë treguar një moment të mirë konsolidimi dhe rritjeje në fushat strategjike, ekonomike dhe tregtare, të gjelbra dhe digjitale dhe kanë prodhuar rezultate të pasura.
Në fakt, bindjet se Kina dhe BE-ja janë dy forca kryesore që avancojnë multipolaritetin, dy tregje kryesore në mbështetje të globalizimit dhe dy qytetërime të mëdha që mbrojnë diversitetin global, ndihen e pranohen si në Pekin ashtu edhe në Bruksel, por pse jo, edhe në Paris e Berlin.
Mes situatës gjithnjë e më të trazuar ndërkombëtare, marrëdhënia Kinë-BE kanë rëndësi strategjike dhe ndikim për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin global dhe është detyrë e të dyja palëve të ofrojnë bashkëpunim më të madh për botën dhe shtysë më të fortë për zhvillim më prosperues e paqësor.
BE-ja duket se është e përgatitur të rrisë komunikimin dhe mirëkuptimin me Kinën në një frymë reciprokisht të respektueshme, të hapur dhe të çiltër për çështjet ku ata nuk pajtohen. Bashkimi Europian dhe Kina kanë të përbashkëta përgjegjësi dhe interesa për ta mbajtur botën paqësore dhe të qëndrueshme.
Krejt natyrshëm Brukseli dëshiron të ketë komunikim dhe koordinim të ngushtë me Kinën, të mbështesë multilateralizmin dhe qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe të punojë për zgjidhjen e pikave të nxehta rajonale, duke përfshirë Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Ky vullnet politik forcohet akoma më shumë kur sondazhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikojnë edhe një rikthim të mundshëm të Donald Trump si President i SHBA, të cilit i njihet ndërkombëtarisht filozofia “America First..”/CRI.CN