Një sasi droge prej 207 kilogramësh, e cila kishte origjinën nga Shqipëria, është sekuestruar ditën e sotme nga policia greke.
Lidhur me këtë ngjarje, autoritetet greke kanë deklaruar se droga u gjet në një mjet me targa shqiptare, i cili u ndalua nga policia e Greqisë në aksin rrugorë Kakavijë-Kallpaki.
Droga ishte ambalazhuar në 196 pako dhe e ndarë në 8 çanta udhëtimi, ndërkohë bëhet e ditur që është arrestuar një shtetas shqiptar, 42-vjeçar.
Gjithashtu është sekuestruar edhe mjeti në të cilin u gjet droga, dy telefona dhe 280 euro.
Ndërkohë 42-vjeçari shqiptar do të dërgohet në Prokurorinë e Janinës për veprime të mëtejshme.