Konsumimi i duhanit vret më shumë se shtatë milionë persona çdo vit në botë, njoftoi sot OBSH-ja, duke bërë thirrje që të ndalohet promovimi i tyre dhe të rriten taksat mbi këtë produkt.
Me rastin e ditës botërore pa duhan, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një raport ku përllogarit, për herë të parë, kostot shëndetësore dhe ekonomike të duhanit dhe impaktin në mjedis.
“Çdo vit, më shumë se 7 milionë persona vdesin nga duhanpirja, kundrejt rreth 4 milionë që ishin në fillim të shekullit XXI”, sipas këtij raporti të OBSH-së. Duhanpirja përfaqëson gjithashtu një peshë të rëndë ekonomike për planetin. Kostoja e saj (në aspektin e shpenzimeve shëndetësore dhe të humbjes së produktivitetit) vlerësohet në më shumë se 1 400 miliardë dollarë, ose 1,8 për qind e prodhimit të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të botës.