Pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat e huaja, të cilat shkruajnë se këtë vit shqiptarët duket se zgjodhën të braktisnin kutitë e votimit.
Një numër i ulët i qytetarëve shqiptarë votuan të dielën në zgjedhjet e përgjithshme që synonin t’u jepnin dy partive më të mëdha politike një shans për të punuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shkruan televizioni amerikan “ABC News”. Votimi përfundoi në orën 8:00 pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të zgjasë votimin për një orë për shkak të pjesëmarrjes së ulët që u atribuohet festimeve fetare, temperaturave të nxehta që arrinin 39 gradë dhe jo vetëm.
Vendimi shkaktoi kaos në disa vende, ndërkohë që shumë njerëz pritën në radhë për të hedhur fletëvotimet, shton me tej televizioni. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është çelësi për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e kombit 2.9 milionë banorësh.
“The New York Times” thekson se marrëveshja e arritur në maj i dha fund bojkotit parlamentar tre-mujor nga demokratët dhe lideri i tyre Lulëzim Basha, i cili ka deklaruar vazhdimisht se procesi zgjedhor është lehtësisht i manipulueshëm, dhe se qeveria nuk mund të siguronte zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Data e zgjedhjeve u vonua një javë dhe socialistët e Ramës premtuan mbikëqyrje më të madhe në transparencën e zgjedhjeve. Partia Demokratike ka kandiduar me një agjendë reformuese, duke premtuar rritje më të shpejtë ekonomike, paga dhe papunësi më të ulët. Ndërkohë “EuroNews” shkruan se pas fitimit të statusit si vend kandidat për t’u bashkuar me BE-në,Tirana ka luftuar për të kaluar reforma të rëndësishme dhe jetike, si reformimi i sistemit të korruptuar të drejtësisë.syri.net
XH. D.