Nishani: Votat u blenë në gjithë Shqipërinë, u ndryshua rezultati i zgjedhjeve!

Foto e Ditës Intervistë Kryesore

Presidenti në detyrë Bujar Nishani ka bërë akuza të forta ndaj procesit zgjedhor që Shqipëria mbajti më 25 qershor, duke folur se pati shit-blerje të votës. Kreu i shtetit ka deklaruar se ka informacione që i kanë mbërritur në rrugë zyrtare, se në të gjithë Shqipërinë 1 javë, e deri në 24 orë para zgjedhjeve, janë ofruar lekë për të blerë votat

“Informacionet e mia zyrtare, serioze tregojnë që është përdorur resurs i madh financiar për të blerë votat. Në të gjithë territorin shqiptar”, shprehet Presidenti në një intervistë për emisionin “Përballë” në RTSH.

Kjo sipas tij, ka ndikuar edhe në rezultatin final të zgjedhjeve, ku PS u shpall fituese me 74 mandate.

“Për sa kohë është kaq e përhapur si dukuri, ndikon në mandatet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Për sa kohë ndikon në mandate, mandatet përbëjnë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Dhe nëse ka një dukuri që ka ndikuar shumë është shitblerja e votës. Dhe të shpenzosh para kaq shumë për të blerë vota, do të thotë që këto para nuk janë para të ndershme”, shprehet Nishani.

Por pse nuk ka ndërhyrë kreu i shtetit në këtë situatë për ta minimizuar sapo pak?

“Është përjashtuar tërësisht Presidenti i Republikës dhe nuk mundet të ndërhyjë në asnjë rast, sepse nuk e lejon korniza kushtetuese dhe ligjore e përcaktuar për Presidentin e Republikës të ndërhyjë në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë”, thotë Nishani

Presidenti në detyrë hedhe akuza edhe ndaj institucioneve ligjzbatuese, si policia dhe Prokuroria.

“Fakti që nuk ka pasur në raport me fenomenin, në gjykimin tim, nuk ka pasur minimumin e reagimit dhe goditjes së këtij fenomeni në përqindje, as minimumin në gjykimin tim, tregon që ose është toleruar nga institucionet e zbatimit të ligjit ky fenomen, ose kanë qenë të paaftë për ta identifikuar e për ta goditur. Parlamenti bëri një ndryshim para fushatës zgjedhore në Kodin Penal. E kriminalizoit aktin e shtiblerjes së votës. Fenomeni ka qenë shumë i përhapur për fatin e keq. Ndërsa rastet e goditjes penale janë krejt të papërfillshme. Pra tregon një deformim të madh midis asaj çfarë ka ndodhur dhe reagimit”, përfundoi Presidenti Bujar Nishani.

Intervista:

Lutfi Dervishi: Në zgjedhjet e 2013-s kanë qenë 1.7 milion votues. Në këto zgjedhje janë 1.6 milion. Çfarë shenje është kjo?

Presidenti Nishani: Pra ka një rënie të numrit të votuesve. Kjo tregon që shqiptarët kanë një farë mosbesimi në sistemin e zgjedhjeve. Ka një mosbesim të madh në sistemin e zgjedhjeve. Mosbesimi lidhet me elemente të ndryshme, sepse sistemi i zgjedhjeve ka shumë elemente. Ka të drejtën, lirinë, standardin, besimin, alternativat, programet, kandidatët, infrastrukturën, ka një mori elementesh si koncept besimi. Pra problemi i parë që shikoj është mospjesëmarrja. E dyta, vazhdon të thellohet për fatin e keq, kultura shumë e keqe e shitblerjes së votës. I kanë kaluar përpara se të shkosh te kutia e votimit. Në 24 orë apo 48 orë apo një javë përpara ditës së zgjedhjeve. Informacionet e mia zyrtare, serioze tregojnë që është përdorur resurs i madh financiar për të blerë votat. Në të gjithë territorin shqiptar.

Lutfi Dervishi: Në vlerësimin tuaj, në të gjithë territorin. Ka ndikuar për mandatet apo ka ndikuar për rezultatin e përgjithshëm?

Presidenti Nishani: Me siguri. Për sa kohë është kaq e përhapur si dukuri, ndikon në mandatet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Lutfi Dervishi …apo në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve?

Presidenti Nishani: Nuk ka diskutim. Në mandatet dhe në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Për sa kohë ndikon në mandate, mandatet përbëjnë rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Dhe nëse ka një dukuri që ka ndikuar shumë është shitblerja e votës. Dhe të shpenzosh para kaq shumë për të blerë vota, do të thotë që këto para nuk janë para të ndershme.

Lutfi Dervishi: Edhe po të jenë para të ndershme, është veprim kriminal. Edhe po t’i kenë paratë e veta?

Presidenti Nishani: Duke mos qenë para të ndershme, domethënë para të pastra, e kriminalizon dhe e rëndon akoma më shumë figurën e veprës penale. Kështu që ky është një problem shumë madhor.

Lutfi Dervishi: Ju keni pasur informacione për këtë, ose keni informacione. Por a mund të luante Presidenti i Republikës ndonjë rol që ta gjykonte të arsyeshme për ta minizuar sa më shumë…?

Presidenti Nishani: Është përjashtuar tërësisht Presidenti i Republikës dhe nuk mundet të ndërhyjë në asnjë rast, sepse nuk e lejon korniza kushtetuese dhe ligjore e përcaktuar për Presidentin e Republikës të ndërhyjë në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë.

Lutfi Dervishi: Duke thërritur Prokurorin e Përgjithshëm apo trupa prokurorësh? Apo duke sensibilizuar?

Presidenti Nishani: Edhe në këtë rast, marrëdhënia e Presidentit të Republikës me institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme ka ndryshuar që pas ndryshimeve kushtetuese. Nuk ka të drejtë komunikimi apo ndërhyrjeje Presidenti i Republikës me institucionin e Prokurorisë së Shtetit. Nuk flitet vetëm për Prokurorin e Përgjithshëm, por flitet te institucioni i Prokurorisë së Shtetit. Por Prokuroria, Policia i kanë të gjitha hapësirat dhe përcaktimet ligjore për të ndërhyrë. Fakti që nuk ka pasur në raport me fenomenin, në gjykimin tim, nuk ka pasur minimumin e reagimit dhe goditjes së këtij fenomeni në përqindje, as minimumin në gjykimin tim, tregon që ose është toleruar nga institucionet e zbatimit të ligjit ky fenomen, ose kanë qenë të paaftë për ta identifikuar e për ta goditur. Parlamenti bëri një ndryshim para fushatës zgjedhore në kodin penal. E kriminalizoit aktin e shtiblerjes së votës. Fenomeni ka qenë shumë i përhapur për fatin e keq. Ndërsa rastet e goditjes penale janë krejt të papërfillshme. Pra tregon një deformim të madh midis asaj çfarë ka ndodhur dhe reagimit.