Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-s kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian dhe të tjera rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor.
Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç.
15.3 mijë persona, ishin të grupmoshës 18-34 vjeç.
Shumë e lartë është ikja e minorenëve. Në periudhën janar 2019-gusht 2020 ka pasur 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17 vjeç, që përbën rreth 29% të aplikimeve nën 34 vjeç, ose 23% të totalit.
Të dhënat e detajuara të Eurostat tregojnë se Franca është destinacioni më i preferuar për minorenët nën 14 vjeç, me 3,460 aplikime për periudhën në fjalë, ose 50% e gjithë kërkesave nga minorenët. Franca njihet si një shtet social, sidomos për minorenët, çka i nxit prindërit që të rrezikojnë të lënë fëmijët në kampe me shpresë se ata do të sigurojnë një të ardhme më të mirë. Preferenca tjetër është Gjermania (1,145 aplikime), më pas Greqia (695), Mbretëria e Bashkuar (525) dhe Italia (310)- (shih grafikun: Aplikimet për azil nga Shqipëria, nën 14 vjeç, janar 2019-gusht 2020).
Kanë aplikuar për azil edhe 1,615 persona të moshës 17-18 vjeç.
Në total për periudhën janar 2019-gusht 2020, shteti me aplikimet më të mëdha nga azilkërkuesit shqiptarë mbetet Franca, me 40% të totalit. Franca është bërë vitet e fundit tërheqëse për shqiptarët për shkak të politikave sociale në lidhje me trajtimin e çështjeve, duke ofruar disa shkallë deri në vendimin final, ka trajtime më të mira në qendrat e pritjes, nuk ka kthime me forcë.
Shteti i dytë është Mbretëria e Bashkuar, me 18.4% të totalit të aplikimeve, e ndjekur nga Greqia (1.7%). Gjermania që ishte deri para disa vitesh si destinacion i preferuar për azilantët tani është në vend të katërt, për shkak të politikave më pak sociale dhe dëbimeve me forcë. Pas Gjermanisë vjen Italia, me 6% (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga Shqipëria, totali, janar 2019-gusht 2020).
Mbi 60% e aplikimeve në total në vendet e BE+ në 20 muajt e fundit janë bërë nga meshkujt, sipas të dhënave të Eurostat.