Dy shpërthime tritoli kanë tronditur Tiranën në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa ka dështuar një tentativë e tretë për të shpërthyer një sasi tjetër tritoli në rrugën “Muhamet Gjollesha”. Burimet policore thanë se shpërthimi i parë ka ndodhur në një farmaci në rrugën “Kongresi i Manastirit”, e cila është në pronësi të Bashkim Tahirit, i ati i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërkohë rreth së njëjtës orë ka ndodhur në tjetër shpërthim afër farmacisë së Bashkim Tahirit, vetëm pak metra më tutje në rrugën “Arben Minga”.Sipas hetimeve të para një sasi eksplozivi është vendosur në shesh pushimin e pallatit të ish-shefit të komisariatit numër 3, Alfred Numani, aktualisht shef i krimeve të rënda në policinë e Korçës.
Shpërthimet me tritol, Dade-Bushati dënojnë sulmet
Shpërthimet me eksploziv të regjistruara gjatë natës në Tiranë kanë qenë në fokus edhe të mbledhjes së Komisionit të Jashtëm. Kryetarja, Arta Dade, dënoi aktet e dhunës ndërsa shpehu solidarizimin me familjet e sulmuara me tritol. Aktet e dhunës u dënuan edhe nhga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Rama: Shpërthimi në farmacinë e Tahirit akt terrorist.
Kryeministri, Edi Rama, ka dënuar shpërthimin në farmacinë e të atit të Ministrit të Brendshëm Tahiri, duke e cilësuar një akt terrorist . Përmes një reagimi në fb, Rama nuk nguron ta cilësojë aktin një kafshim monstrash që sipas tij do të kenë dorën e shtetit në fyt deri në frymën e tyre të fundit.“Akti terrorist ndaj familjes së Ministrit të Brendshëm, kafshim monstrash që kanë marrë, po marrin dhe do të marrin atë që meritojnë: Dorën e shtetit në fyt deri në frymën e tyre të fundit! Kemi çelur epokën e re të ndarjes së shtetit nga krimi dhe të luftes dinjitoze pa ndalim e as tolerancë të shtetit përballë krimit. Saimir Tahiri është në krye të kësaj lufte dhe kush ka urdhëruar e ekzekutuar terrorin ndaj familjes së tij, duhet ta mësoje se sot i ka dhënë Ministrit tonë e të gjithëve ne, një motiv më shumë për të qenë krenarë e të frymëzuar në çdo qelizë, në kryerjen e detyrës së lartë në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi!”Duke shprehur vendosmërinë e qeverisë së tij përballë krimit, Rama nuk ka komentuar shpërthimin tjetër po aq të rrezikshëm pranë banesës së ish-shefit të kom isariatit numër 3 në Tiranë, Alfred Numani.“Askush dhe asgjë nuk do të na ndalë në rrugën e Rilindjes për një Shqipëri që më në fund do të ketë shtetin e saj të fortë e të drejtë, shtetin modern te shqiptarëve”. Për çudi kryeministri Rama nuk ka thënë asnjë fjalë për eksplozivin te ish-shefi i policisë