“Tifozët e kuq, më të mirë në botë. Dridhem kur i shikoj nga ekrani”
Golashënuesi i 1993-ish me te kuqtë thotë se në mesfushë duhet një Pano
Golashënuesi i Partizanit dhe i sezonit të vitit 1993 me 21 gola, Edmond Dosti kujton me nostalgji fitimin e fundit të titullit kampion me të kuqtë. Pas 22 vitesh pritje, për ish-sulmuesin, ekipi duhet të luftojë fort këtë sezon për të thyer këtë pritje të gjatë, kjo mbi të gjitha për tifozët e jashtëzakonshëm. Ish-sulmuesi ka vlerësuar ekipin e ndërtuar nga Duro, por shprehet i rezervuar në lidhje me mënyrën se si e kërkon rezultatin ekipi. Ai ka theksuar se trajneri duhet të shikojë më shumë përpara, edhe pse në përbërje nuk ka sulmuesit e duhur, ku sipas tij mungon nuhatja dhe guximi drejt portës.
E keni ndjekur ish-ekipin tuaj këtë sezon? Çfarë të ngjashme ka me kampionët e vitit 1993?
Vetëm stemën dhe ngjyrën. Ishte batutë. Në atë kohë kishte futboll të ndershëm dhe të pastër. Megjithatë te Partizani i sotëm po më pëlqen mënyra se si klubi po funksionon në tërësi. Gjithsesi duhen marrë për bazë vitet e mëparshme, kur ky ekip me tradita ka lënguar shumë.
Si golashënues dhe fitues i titullit të fundit me Partizanin, sa shanse ka ky ekip për të fituar këtë sezon?
Në vitin 1993 kam dalë kampion dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit me 21 gola, por që edhe sot me mungon e vetmja kupë që nuk e mora nga FSHF-ja. Partizani këtë vit po më pëlqen shumë, sidomos nga mënyra se si po luan. Mendoj se ka një shans shumë te mirë për te kthyer kupën e kampionëve të Shqipërisë që mungon që nga koha ime.
Nuk e morët kupën e golashënuesit, apo nuk jua dhanë?
Jo nuk ma kanë dhënë. Nuk e di as sot se pse…
Ekipi sot bazohet shumë te mbrojtja, kështu ka qenë edhe në 1993-in?
Dua të theksoj se te Partizani i sotëm mungon një sulmues si Pano, Resmja, Shehu apo dhe Dosti…
Çfarë kujtimesh ju sjell fitimi i titullit?
Në atë kohë kishim ekip shumë të mirë. Kishim në përbërje Mustën, Ocellin, Panon, Shehun, Muçën, Berberin, Pelinxhin etj. Për sa më përket mua, me ekipin e Partizanit kam marrë dy kupa Republike, një kampionat, një titull si golashënuesi i kampionatit. Për një futbollist është ëndërr të dalësh kampion me ekipin e zemrës. Unë u rrita te ky klub dhe jam shumë krenar që me modestinë time i kam dhënë dhe pak krenari këtij klubi.
22 vite pa titull, janë shumë për një ekip si Partizani?
Uroj që këtë vit, klubi t’i kthejë vendin e merituar këta djemve të sotëm për këtë emër të madh dhe për ata tifozë qe po më mungojnë shumë. Kur i shikoj ne televizion me ngjethet mishi. Janë tifozët më të mirë në botë. Nuk e di se çfarë do të kisha bërë, vetëm që Partizani të fitojë këtë vit kampionatin.
Përveç sulmit, çfarë i mungon këtij ekipi?
Një mesfushor i tipit Pano. Një mesfushor qendre që luan mirë me të dyja këmbët. Ky lojtar i duhet të kuqve në këtë moment të sezonit.
Merkato e Janarit ka sjelle Bylykbashin, ndërkohë jo vetëm nuk është afruar sulmues, por janë larguar dy! Sa mund të ndikoje?
Bylykbashi është lojtar i mirë, por për një 90-minutësh nuk ashte ai i duhuri. Si alternativë mendoj se është i duhuri. Partizani në vite ka pasur sulmues shumë të mirë dhe loja e Partizanit ka qenë loje sulmuese. Për këtë mendoj se Duro duhet t’i japë më shumë besim lojës sulmuese. Këtë sezon ai ka një meritë të veçantë, pasi ka formuar një ekip shumë të mirë dhe duhet të dalë kampion. Për te tjerat ai i di vetë shumë mirë.
38 gola ka shënuar Dosti në 67 ndeshje me Partizanin, duke u shpallur dhe golashënuesi më i mirë me 21 gola në 1993-in, ku fitoi titullin kampion.
Nga Edmond Sufaj