DASH : Shqipëria vend prodhimi i marijuanës

Aktualitet

dash-focusDepartamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se edhe gjatë vitit 2014, Shqipëria cilësohet si një vend që shërben si burim i rëndësishëm i prodhimit të marijuanës dhe si një pikë të transportit të heroinës e kokainës për tregjet evropiane. Raporti i përvitshëm për këtë luftën kundër drogave në botë i hartuar nga ky institucion i është dorëzuar Kongresit. Për periudhën 9-mujore janar-shtator të vitit të shkuar në total janë kapur rreth 102 tonë marihuanë dhe 86 kilogramë heroinë e kokainë. Për trafikun e lëndëve narkotike janë proceduar mbi 1 mijë persona, thuhet në raport. Në të vlerësohet edhe asgjesimi i mbi 530 mijë bimëve të mbjella të marihuanës. Rezultatet e punës së organeve ligjzbatuese kundër këtij fenomeni, raporti vëren se u arritën falë bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët rajonalë, veçanërisht me policinë italiane. Po ashtu është shtuar angazhimi për të luftuar prodhimin e drogës dhe trafikimin e saj nga autoritetet politike dhe ato të rendit të Shqipërisë. Me përjashtim të marijuanës, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm drogash, apo lendëve për përftimin e tyre, ose e drogave sintetike. Raporti vlerëson edhe ndihmën që merr vendi ynë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar aftësitë në luftën kundër drogave.

Tv Klan