Doc. Fane Tarifa / Çdo veprim i karakterit masiv nxitet, motivohet dhe udhëhiqet nga dikush, pra si rregull nga një force politike. Protesta ka përmbajtjen e saj, parrullat që përpunohen nga organizatoret, shkaqet dhe synymet e saj. Më e rëndësishmja është se çdo proteste ka një drejtim të caktuar, pra i drejtohet diçkaje, si dhe kërkon një lloj zgjidhjeje. Eshtë fakt se shpesh tek ne protestat bazohen jo në fakte dhe shkaqe të rëndësishme që kanë vlerë madhore për popullin, por përkundrazi ato bazohen në pretekste, të cilat manipulohen për t’u përdorur për qëllimet e tyre. Ta bazosh protestën në çështjen Doshi, kur për masën e popullit ka probleme të tjera tepër madhore që lidhen me jetën e tyre, me mënyrën e jetesës, do të thotë ta kapësh dëmin nga bishti.
Realisht një proteste, kur shtron për zgjidhje probleme të rëndësishme sociale, e shton frymëmarrjen e demokracisë, por me sa pamë në këtë proteste ajo u sfumua si flluskë sapuni dhe, pavarësisht se njerezit kanë ende pakënaqësira nga pushteti aktual, pjesmarrja e tyre tërheq vëmendjen e qeverisë. Vërtet që opozita, por në një farë mase edhe pozita, kanë mbi shpatulla aq shume gjynahe ndaj këtij populli, aq shumë sa s’ka oqean qe t’i lajë.
Ka probleme të rëndësishme për popullin tonë për të cilat me sa shohim nuk ngrihet zeri sa dhe si duhet. Janë nxjerrë në ankand pasurite themelore të vendit. Politika dhe pushteti në nje masë të konsiderueshme ka përvetësuar pasurite kombëtare. Ka lejuar dhe është bërë ortakë me krimin e organizuar, dhe bashkërisht ndajnë aferat e pista. Edhe pse shumica e popullit ka një gjëndje të mjeruar ekonomike, ku mijera familje që janë nën varfëri e minimumin e jetesës, për këto probleme s’protestohet.
Se vriten njerëz të pafajshëm nga elemente kriminale. se kemi një korrupsion galopant në drejtesi, dhe në strukturat shtetërore, përsëri për këto probleme nuk protestohet. Me sa duket pavarësisht disa masave pozitive të pushtetit aktual në vendosjen dhe zbatimin e ligjit, kur nga plebeshiti popullor ata nuk arritën të pastronin makinën gjigande të korrupsionit, se lanë metastaza të së kaluarës dhe tashme edhe britmat e tyre janë ç’vleresuar. Ka ardhur koha për një vizion të ri, për të shmangur sa më shumë si ata të djathtë që mbulohen me emrin e PD-së, që janë thellësisht të inkriminuar, po ashtu edhe ata të majtë (Me emrin e PS-së dhe LSI-is) por që janë majmur tepër në kurriz të popullit, të mënjanohen nga sferat e politikës dhe pushtetit. Ne rast se populli ka më tepër zhgënjim, është detyrë e faktorit subjektiv shqipëtar të udhëheq, të spjegoje dhe interpretojë situatën objektive dhe të arrijë të gjejë zgjidhje të duhura në favor të masës së popullit. Lëvizja popullore ka energji të pamasa, por këto energji mund të përdoren drejt vetëm nga një faktor objektivi të shëndoshë me frymë kombëtare dhe me sens sa më popullor.