Problemet me të cilat po përballet Bashkimi Europian përgjatë dhjetë viteve të fundit kanë ngritur shumë pikëpyetje, mbi të ardhmen e këtij bashkimi.
Marko Drajić dhe Ana Marjanović Rudan konsulentë në Advocacy Group të WB 6 kanë bërë një analizë mbi pozicionimin e Ballkanit Perëndimor (përfshirë edhe Shqipërinë), duke ngritur pyetjen: a ka vend në Europën “e re” për Ballkanin.
Analistët japin dy skenarë me ‘shpejtësi’ të ndryshme, aksesi i gjitha vendeve aspirantë do të lehtësohet, me ritme të ngadalta, por i shoqëruar me shumë pasiguri. Nuk ka asnjë dyshim që “rilindja” e Bashkimit do të shoqërohet me pasiguri të pashmangshme që do të reflektohet në funksionimin e institucioneve në muajt në vazhdim dhe kjo mund të ulë fuqinë transformuese në rajon.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e procesit të Bratislavës, dhe si rrjedhim mund të lihen jashtë debatit për të ardhmen e BE-së. Megjithatë, sikundër thuhet edhe në strategjinë e saj globale, BE-ja mbështetet te bashkëpunimi i aktorëve rajonalë, në dhënien e një përgjigjeje për sfidat kryesore të sigurisë. Por, a ka vend për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në debatin mbi të ardhmen e BE-së? Duke qenë se vendet e rajonit nuk janë formalisht pjesëmarrës, në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet duhet që të marrin rolin e kontribuuesit dhe të flasin si një zë i vetëm.
Por, pavarësisht zhvillimeve të kohëve të fundit, ideja e bashkëpunimit rajonal edhe sot mund të duket utopike. Megjithatë bashkëpunimi ndërmjet administratave rajonale është i gjallë, sidomos në aspektin e ekonomisë, energjisë dhe sigurisë.
Vendet anëtare të BE-së kanë treguar shpesh se rajoni tërheq më shumë kur ai trajtohet si ‘një i tërë’. E si i tillë ai llogaritet në rreth 20 milionë njerëz. Funksionimi i tërë do të ishte zgjidhja për t’u ‘imponuar’.