A mundemi më të besojmë te kryeministri?

941

Zheji ne Focusnews-3Artur ZHEJI  /  Edi Rama gjithmonë e më shpesh, kur është nën trysninë e fakteve kokëforta që e mbërthejnë, le të themi me delikatesë, në mos arritje apo në dështime, edhe për mungesë së përgjegjësisë së tij të drejtëpërdrejtë, përdor proverb popullore, që mendon se përshtaten. Një nga këto është: “Qentë le të lehin, Karvani ecën përpara!”

Qentë që lehin, janë ata nuk janë dakort me të, apo që e akuzojnë, ndërsa ai dhe ata që e pasojnë, jane medemek “Karvani” që ecën përpara, simbas kësaj metafore.

E pra, Shqipëria që ai ka marrë votat për të qeverisur, është e ndarë në Qen që lehin dhe në Karvan që ecën përpara. Është kjo një shprehje që mund ti rrijë përshtat një kryeministri? Edhe mundet. Një kryeministri shqiptar, me cfarë jemi mësuar, duket se i rri mirë cdo robë, që ka vendosur të veshë.

Kjo është Shqipëria, tash 70 vjet!

Sa për kujtesë të kryeministrit, Karvani, në krye të të cilit ai sheh veten, ishte një “shpikje” e tregëtarëve arabë të Mesjetës. Ato ishin forma e transportit të mallrave të shtrenjta, nëpër shkretëtira apo rrugëtime të largëta, ku nuk kishte as kalldrëm e as asfalt dhe as hekurudha. Ngarkoheshin me ar, argjend, me gurë të cmuar e copa të shtrenjta, me erëza dhe me skllave bukuroshe. Dhe ruheshin fort mirë, nga mercenarë të armatosur që rrinin në bisht të Karvanit.

Por le të ndjekim edhe më tej, metaforën e tij “kryeministrore” të Qenve dhe të Karvanit, që më së fundi ai e serviri, në rastin e koncesionit të tij prej dhjetëra miliona eurosh për kontrollet mjekësore shtetërore gratis, thënë ndryshe check-up-et.

Me këtë rast, ai duhet të dijë, se nuk ka në Shqipëri askënd, ndër miq apo armiq të tij, që nuk ka formuluar një pëshpërimë apo që nuk ka vënë një pikëpyetje të madhe Besimi, mbi këtë koncesion.

Të “dhuruar”, thonë pëshpërimat dhe aludimet, ndaj “mikes së shtrenjtë të partisë”, mbështetëse e njohur elektorale, e tija personalisht dhe e partisë socialiste. Padyshim që zonja Vilma Nushi, është një sipërmarëse serioze, që lindi si e tillë fill mbas viteve ’90, si mjaft të tjerë dhe të tjera si ajo, që punonin në ish aparatin drejtues të Partisë së Punës, në mos drejtëpërdrejtë, në kuadër familjar. Kam konsideratë personale për profilin e saj diskret, madje dhe urtësinë e saj publike.

Por sipërmarrja e saj, nga eksluziviteti i cigareve të Marlboros, te Procter and Gamble dhe të tjera si këto, deri te koncesioni maramendës 10 vjecar shëndetësor, ka dicka të mirëfilltë që nuk shkon. Sepse ky koncesion në fushën e shëndetiti publik, që përmbush një nevoje reale, shënon në të njejtën kohë, pranimin e hapur të dështimit de facto, sëpaku 10 vjecar, të strukturave shtetërore shëndetësore.

Por le të supozojmë se kryeministri i karvanit që ecën përpara, ka dashur të zgjidhë me shpejtësi një emergjencë kombëtare. Dhe për këtë ju drejtua bashkëpunimit shtet-privat.

Mirë deri këtu. Ky mekanizëm edhe mund të qëndrojë në logjikën e vet të shpallur reformatore, si një mix të politikave liberale të tregut me ato shtetërore. Duke u mbështetur në eficiencën e sipërmarrjeve private.

Ok! Pse jo?!

Por ky koncesion dhjetëra miliona eurosh, i shtrirë në 10 vjet, do të thotë më të paktën, se edhe për 10 vitet që do të vinë, kryeministri i karvanit që ecën përpara, parashikon që shërbimi shëndetësor të mbetet gjithësesi në llucë. Dhe në më të shumtën e vet, koncesioni, shkon në favor të një tregëtareje grosiste, e cila ka pak apo aspak lidhje me profilin thelbësor të biznesit të saj, shëndetësinë.

Pikërisht këtu, kryeministrin nuk e ndjek dot më askush!…

Sigurisht më pas, ky koncesion apo “dhuratë” lobiste, u implementua në bazë si një nën licensim faktik, ndaj kompanive të treta të specializuara në fushën e mjekësisë. Sepse zonja Nushi nuk dispononte asokohe, as laboratore dhe as personel të speciaizuar në këtë fushë. Kuptohet përvec parave të shumta, si koncesion nga shtetit.

Nën licensimet, jepen kundrejt një cmimi më të ulët, aq sa nuk përbën, simbas zërave të mërmëritur të strukturave të nënlicensuara, as edhe 20% të cmimit të reagentëve që përdoren dhe që lypsen për analizat e shqiptarëve.

E pra si do ta zbulojnë shqiptarët ngase vuajnë, nëse në vend të reagentëve përshembull, mund të përdoret thjesht “ujë me ngjyrë”?

Për të mos folur pastaj, për zërat që qarkullojnë se do muaj, mbushen receta apo fletë rezultate fiktive analizash të bëra, me qëllim që llogaritë të kuadrojnë formalisht, dhe që shteti të derdhë aty ku duhet, dhe në xhepat e duhur, paratë e kontraktuara.

Nëse qentë apo populli, apo shqiptarët, lehin kësisoj, ndaj karvanit kryeministror, ku kalërojnë mbi devetë e qëndisura me ar, multimilionerët e pasuruar me paratë e “qenve”, nuk më duket se është rasti që tua hedhim fajin përsëri qenve për këtë.

Apo jo?

Edhe kur lehin, edhe kur nuk lehin.

Por edhe unë besoj, po ashtu si kryeministri, se reforma në drejtësi do të japë një përgjigje edhe për këto koncesione, edhe për mënyrën se si implementohen ato.

Por ndërkohë, shqiptarët besim humbur, drejtohen sërish nëpër spitalet shtetërore apo në ato private, edhe për analizat e ashtuquajtura gratis.

Ata, as edhe unë që kam fituar gjithmonë një rrogë të lartë, nuk e kemi mundësitë të sjellim kirurgët me aeroplan special nga Vjena, për të shpëtuar jetën tonë, nëse ajo na rrezikohet. Jetë po aq e vyer, në mos shumë më tepër se sa jeta, e shpëtuar në rastin në fjalë, megjithëse, personalisht u gëzova që ndërhyrja doli me sukses, dhe miku i partisë dhe i qeverisë është sot shëndoshë e mirë.

Po qentë kush do ti shpëtojë?

Apo ata gabojnë edhe kur lehin. Karvani i milionerëve të kryeministrit, nuk e kthen kokën pas, por ecën përpara.

Apo ti japim edhe ca sacma kokës, nëse kafshojnë në bithë ndonjë nga ato devetë ngarkuar me ar, të tregëtarëve që lëkunden e përkunden mbi to? /360/




Këtë e pëlqejnë %d blogues: