Abuzime në emër të demokracisë

914

ne emer te demokracise-2Shpëtim ZINXHIRIA /  Bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen evropiane, pasi më parë na kanë marrë votën, e më pas na lëmë të rrimë në mëshirën e fatit dhe në duart e ndërkombëtarëve për të na ndihmuar.

Sot në demokracinë e brishtë shqiptare shumica e partive politike po përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, por gjithashtu edhe të disa klasave, duke dëmtuar deri në masë imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës brenda gjirit të partisë, si dhe në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre është një tregues kuptimplotë përballë elektoratit.

Nga ana tjetër, të gjitha partitë politike të përfaqësuara nga shtresa e popullit, pa bërë dallim të pasur apo të varfër, do të mbeteshin gjithnjë të pashmangshme nga misioni i tyre historik. Moskryerja e këtij misioni ndaj situatave dhe kërkesave në kohë do rrisnin pakënaqësinë e elektoratit. Lidhur me këtë Winston Churchill ka theksuar: “Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave.”

Çdonjëri nga ne është i lirë të mendojë dhe të vendosë për mendimin e tij, ashtu siç mendon, për të mirën e përgjithshme, për të zgjedhur figurën politike që beson, për demokracinë. Në këtë liri të shprehjes dhe të barazisë u mbështet dhe u ndërtua demokracia e sotme, ndërsa disa personave të tjerë në vendin tonë u dha të drejtë që partinë, për të cilën iu besua, ta trajtojnë si një çiflig të vetin. Sa mbarojnë votimet, sapo marrin besimin e popullit shumë shpejt bëhen arrogantë dhe shkëputen përfundimisht nga hallet e popullit.

Sikur të mos mjaftojë kjo, një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që i dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, saqë sot nuk u besojnë syve të tyre. Plaçkiten gjithçka sikur ta kishin mallin e prindërve të tyre. Por, Demokracia nuk është vendi i gjithë këtyre parazitëve dhe hajdutëve por, me sa duket, demokracia shqiptare po pranon këta parazitë në trupin e saj të brishtë.

Këta drejtues pushteti që uzurpuan shtetin të kthyer në parazitë në kurriz të shoqërisë, janë të pathyeshëm në demokracinë shqiptare. Por kjo demokraci e brishtë, që sapo ka hedhur themelet pas një diktature mëse 50-vjeçare, duket se i lehtëson këta parazitë të zhvillohen. Ndërsa vetë parazitët kujdesen që mundësinë që i dha demokracia për t’u zhvilluar pa pengesa, të mos i lërë mendja që të sundojnë në dëm të saj, sepse më pas nuk do të kenë më mundësi për të gjetur vendin dhe kohën për të qenë më parazitë në kurriz të popullit.

Demokracia u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që për të na qeverisur na premtojnë, na gënjejnë dhe na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit së bashku me kravatën politike. U ka dhënë mundësi që, kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa patur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ata vendi do të shkonte në katastrofë, pasi më parë kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Për të punësuar nipërit dhe mbesat e tyre, dyfishojnë numrin e personelit të ambasadave tona. Rrisin numrin e ministrive nga 14 që ishin në 19-të, vetëm e vetëm për të punësuar të afermit e tyre.

Abuzimi nën emrin e demokracisë u dha ketyre të drejtën përpara popullit tonë se, janë ata e pastaj jemi ne, se pa ata nuk do ishim ne. Gjithashtu u lejon këtyre parazitëve të shoqërisë që të bënin privatizimin shtetëror me stilin “Made in Korruptiv Albania”, duke grabitur për vete dhe njerëzit e tyre pasuritë e popullit, pasurinë shumëvjeçare të ndërtuar me mund dhe djersë. U lejon që të na flasin për korrupsion, në një kohë kur këta parazitë nuk mund të jetojnë një ditë pa të. Na flasin për drejtësinë, në një kohë kur vetë janë të parët që duhet të përballen me të. Na flasin e na flasin, por më shumë na flasin për Demikriminalizimin për reformat që duhen bërë në këtë drejtim.

Na flasin për një ndryshim në sistemin tonë demokratik, kur vetë në radhë nuk kanë ndryshuar, duke ditur se erdhën nga sistemi i mëparshëm. Na flasin për antikomunizëm nga pozita ende komuniste apo të kriptokomunizmit, duke na bërë që të qeshim, në një kohë kur është për të qarë. Thua se Shqipëria nuk kishte më parë, si edhe nuk ka as sot element fizik të pastër.

Në emër të demokracisë na vidhen në mes të ditës votat. Në emër të demokracisë në krye të KQZ vendosen njerëz që më parë janë dënuar për ryshfete, ku më parë është marrë edhe pëlqimi i dy partive më të mëdha të vendit.

Abuzimi që bëhet nga politikanët apo drejtuesit e pushtetit në emër të demokracisë padyshim përmban një krim politik, moral apo penal. Ky i fundit as që njihet në vendin tonë, pasi korrupsioni gjithashtu ka mbërthyer gjatë 25 vitesh edhe vetë drejtësinë. Ja ku na katandisën parazitët e demokracisë.

Në emër të demokracisë zënë karrigen për në parlament njerëz që nuk e meritojnë, pasi priten të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin, kur zihen ngushtë dhe kur duhet të japin llogari para drejtësisë. Fenomeni i shumëpërfolur Gërdeci i Mediut apo korrupsioni i ashtuquajtur “Rruga Basha” krimi  21 Janarit, mbeten tashmë të harruar nga pushteti i sotëm.  Po këta njerëz që vranë apo vodhën popullin, sot janë përfaqësues të tij.

Në emër të demokracisë pushteti ka uzurpuar edhe drejtësinë, e cila është tulatur dhe është kthyer si një mjet përçues i politikës së pushtetit të sotëm.

Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa prezencën e qytetarëve. Populli voton për qeverinë për të udhëhequr shtetin.

Është populli ai që i jep besimin disave që të jenë në krye të shtetit.

Demokracia u ka lejuar që në emër të saj çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin legalizojnë qindra objekte e banesa të pamiratuara në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën, në një kohë kur duheshin prishur. Me ligjet qe miratojnë vetë ndërtojnë dhe bëjnë si të duan, askush nuk i ndalon dot më. Më e keqja është se nuk qëndrojnë duarkryq ndaj shtypit të lirë, kur shikojnë se u dalin skandalet e mëdha familjare, duke marrë masa nga më ekstremet.( Rasti i ish kryeministri Nano ndaj gazettes SOT)

Premtojnë e premtojnë, por në fund nuk të thonë as na falni, se bëmë gabim, pasi këtë fjalë gjatë viteve të demokracisë nuk e njohin. Miratojnë ligje penale dhe statute partie, në një kohë kur janë këta të parët që nuk i zbatojnë, por luajnë me to si pa të keq…

Bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen evropiane, pasi më parë na kanë marrë votën, e më pas na lëmë të rrimë në mëshirën e fatit dhe në duart e ndërkombëtarëve për të na ndihmuar. Demokracia gjithashtu lejon edhe indiferentizmin tonë për mëkatet e mëkatarëve, duke lënë në mëshirë të tyre fatin e fëmijëve tanë, fatin e kombit tonë.

Këtë indiferentizëm të sotëm shoqëria e së nesërmes nuk do të na e falë, por ja që në demokraci duhet të jetojmë së bashku edhe me këta parazitë, gënjeshtarë, sharlatanë mashtrues apo politikanë…

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: