AK: Prenga një peshk i vogël, rreth peshkaqenit Rama

Aktualitet

armando ne focus-2Kryetari i Aleancës KuqeZi Kreshnik Spahiu ka deklaruar se problemi Shqipërisë nuk është Prenga i vogël, por Kryegardiani pa pranga, duke iu referuar Kryeministrit.

“Dje Shqipëria preku fundin e vet politik. Socialistët e kanë zakon ta mbajnë me gjak pushtetin.

Plumbat e deputetit socialist nuk ishin plagosje pasi në çdo literaturë juridike atentatet me armë zjarri janë vrasje të mbetura në tentativë. Në 100 vite shtet kurrë Shqipëria nuk u morr peng nga banditë ordiner që të drejtonin legjislativin dhe ekzekutivin”, është shprehur Spahiu.
Kreu i Aleancës KuqeZi ka thënë gjithashtu se “Armando Prenga është një peshk i vogël që noton rreth peshkaqenit Edi Rama. Problemi nuk është Prenga i vogël por kryepranga i madh”.

Kreshnik Spahiu ka akuzuar Kryeministrin për situatën e përkeqësuar në vend, duke i vendosur edhe epitetin “kryegardiani”. “Kryegardiani e ka mbush pushtetin me prenga pa Pranga dhe mban sot peng gjithë Shqipërinë”, tha Spahiu.

Aleanca KuqeZi ka ftuar të gjithë deputetët e Partisë Demokratike që të grisin mandatet dhe të largohen nga Kuvendi për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Për këtë arsye Aleanca KuqeZi fton 55 deputetët demokrat të grisin mandatet dhe mos bëhen shokë të Prengave pa pranga. Opozita parlamentare duhet të kuptojë që ky popull nuk do çohet kurrë në këmbë nëse sheh që ju uleni në Kuvendin e gangësterëve. Asnjë popull nuk çohet nëse liderët ulen. Çohuni dhe braktisni përgjithnjëë atë Kuvend sepse shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhjet e parakohëshme janë shpëtimi i Shqipërisë”, deklaroi kreu i kësaj force, Kreshnik Spahiu.