Ambasadori grek: Greqia dhe Shqipëria “kanë lidhje të fortë njerëzore dhe historike”

Politika

ambasadori 55Një vit më parë

“Ambasadori Leonidas Rokanas shfrytëzoi përvjetorin e 193-të të shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Turke për të theksuar se Greqia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie “të veçanta” dhe “strategjike”, sepse siç theksoi “kanë lidhje të fortë njerëzore dhe historike”

Greqia përsëriti gatishmërinë dhe angazhimin për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë për të marrë statusin e vendit “kandidat” brenda qershorit kur përfundon Presidencën e Radhës së Bashkimit Europian.

“Ne si Greqi dhe unë jam i përkushtuar që t’iu mbështesim ju në këtë kërkesë që Shqipëria meriton”- tha ambasadori grek Leonidas Rokanas. Ambasadori shfrytëzoi përvjetorin e 193-të të shpalljes së pavarësisë nga Perandoria Turke (25 mars 1821) për të theksuar se Greqia është fqinj me “marrëdhënie strategjike me Shqipërinë”.

“Në bazë të kësaj marrëdhënieje mbetet objektivi strategjik integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo është përparësia kryesore dhe thelbësore e Presidencës së Greqisë në Bashkimin Europian. “Marrëdhëniet tona janë të veçanta dhe strategjike sepse kanë një lidhje të fortë njerëzore dhe historike. Grekët që janë në Shqipëri dhe shqiptarët në Greqi janë simboli i kësaj lidhjeje të veçantë””.  – tha ambasadori Rokanas.

Pritja dhe ceremonia festive u organizua prej ambasadës së Greqisë mbrëmjen e së martës në hotelin “Sheraton” në Tiranë, ku ambasadori Rokanas theksoi se marrëdhëniet shqiptaro-greke janë përmirësuar ndjeshëm në muajt e fundit.

Sipas ambasadorit Rokanas, sot “ne jemi dëshmitarë të një epoke të re dinamike të marrëdhënieve dypalëshe”, duke veçuar shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë të zyrtarëve të të dy vendeve:

“Kam kënaqësinë të raportoj që në muajt e fundit marrëdhëniet tona janë përmirësuar ndjeshëm për mirë. Përmend vizitat dy herë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizellos dhe të Presidentit Karolos Papulias dhe ministrave të ndryshëm të të dy vendeve tona. “Greqia po del fituese nga kriza e skajshme ekonomike botërore. Pas disa vjetësh në rënie ekonomike, Greqia është duke hedhur hapa përpara. Kjo është shenjë e mirë edhe për vendet fqinje përfshirë Shqipërinë”.

Bashkëpunimi ekonomik zuri gjithashtu vend në fjalën e ambasadorit Rokanas, pasi në vlerësimin e tij “ekonomitë e dy vendeve janë të lidhura ngushtë”.