Autoritetet italiane / 41 emigrantë të vdekur nga mbytja e një anije në Mesdheun qendror

Bota

Emigrantët mbërritën në Lampedusa të rraskapitur dhe në gjendje shoku dhe pritet të japin deklarata në polici…

Autoritetet italiane thanë sot se 41 emigrantë besohet të kenë vdekur në një anijembytje javën e kaluar në Mesdheun qendror, sipas të mbijetuarve që u dërguan në ishullin Lampedusa.

Prokurori vendas Salvatore Vela konfirmoi raportet e mediave se katër personat që i mbijetuan mbytjes – një i mitur 13-vjeçar i pashoqëruar, një grua dhe dy burra – u thanë shpëtimtarëve se ishin në një varkë me 45 persona, përfshirë dhe tre fëmijë.

Emigrantët mbërritën në Lampedusa të rraskapitur dhe në gjendje shoku dhe pritet të japin deklarata në polici, tha prokurori Vela. Ata thuhet se kaluan disa ditë të humbura në det pa ushqim apo ujë të pijshëm.

Zyra e prokurorit Vela ka nisur hetimet për ngjarjen.

Anija shtatë metra e gjatë nisi të enjten e kaluar në mëngjes nga qyteti tunizian Sfax, por u përmbys dhe u fundos disa orë më vonë kur u godit nga një valë e madhe, thanë të mbijetuarit për agjencinë italiane të lajmeve Ansa.

OJQ-ja Sea-Watch e shpëtimit në det tha se një nga avionët e saj vëzhgues i pikasi ata gjatë shpëtimit të tyre nga një anije mallrash. Më pas ata u transferuan në një anije të rojes bregdetare italiane dhe zbritën në Lampedusa, ku treguan historinë e tyre.

“Ata thanë se ishin ndër të paktët (në varkën e fundosur) me jelek shpëtimi dhe (pas mbytjes) qëndruan në ujë derisa gjetën një anije tjetër bosh”, tha Sea-Watch në një deklaratë.