Beqiri padit në SPAK Ilir Metajn dhe Monika Kryemadhin, nga pastrimi parave në Qipro, ja faktet që mund të çojnë pas hekurave kreun e PL dhe bashkëshorten e tij

75

Shtohen telashet për ish-presidentin Ilir Meta-Metaj dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Këtë të fundit janë përplasur javën e fundit ashpër në distancë me avokatin e njohur, Idajet Beqiri, duke shkëmbyer akuza të forta mes tyre. Çifti Metaj-Kryemadhi ka zgjedhur ish-deputeten Silva Caka, për të sulmuar dhe akuzuara zotin Beqiri. Mirëpo, edhe ky i fundit nuk ka mbetur pas, pasi në disa intervista të dhëna gjatë 10 ditëve të fundit për gazetën “SOT”, ka hedhur akuza të forta në adresë të kryetarit të Partisë së Lirisë, për të cilin thotë se është përfshirë në plot 43 afera korruptive dhe kriminale. Por nuk ndalet me kaq, pasi avokat i njohur, Idajet Beqiri ka shkuar edhe më tej, teksa ka tronditur familjen “Metaj”, të cilën e ka paditur në Prokurorinë Specialë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa akuzon Ilir Metajn dhe Kryemadhin se janë përfshirë në pastrim parash dhe korrupsion.

Gazeta “SOT”, disponon të plotë kallëzimin e avokat Beqirit ndaj Metës, i cili është njëri nga 43 aferat korruptive që i ngarkohen Metës si ish zyrtar i lartë i shtetit shqiptar, sipas juristit. Mësohet nga burime të besueshme që para disa ditësh avokati Idajet Beqiri ka paraqitur një kallëzim penal në SPAK kundër Ilir Metajt dhe Monika Kryemadhit, i cili sot po publikohet për lexuesit nga gazeta “SOT” dhe ku tregohen detaje të padëgjuara më parë, sa i takon skemës që Kryemadhi dhe Meta kanë ndjekur për t’u zbukuruar, përmes ndërhyrjeve kirurgjikale në San Marino dhe Austri, duke konsumuar një sërë veprash penale. Me sa duket Ilir Meta ka mësuar nga brenda SPAK për këtë kallëzim dhe kjo duket qartë nga deklarata që Partia e Lirisë ka bërë kundrejt Idajet Beqirit, duke e sulmuar përmes zonjës Silva Caka, madje edhe me sulme personale.

E plotë/ Ja kallëzim penal i Idajet Beqirit në SPAK ndaj çiftit Meta-Kryemadhi

KALLËZUES: Idajet Beqiri i biri i Manes dhe Fazes , lindur ne Kute, Mallakastër  dhe banues në Tiranë, Rr. Muhamed Gjolesha  nr. kontakti 068 20*****.

KUNDËR:   1. Z. Ilir Meta – ish President i Republikës së Shqipërisë

2. Znj.Monika Kryemadhi – Deputete e Kuvendit të Shqipërisë

OBJEKTI: Kërkohet fillimi i procedimit penal dhe kryerja e hetimeve, për kryerjen e veprave penale të: “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i K.Penal;

“Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i K.Penal;

“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi,  fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”,  parashikuar nga neni 257/a i K.Penal;

“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i K.Penal; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni  287 i K.Penal.

BAZA LIGJORE:  Kodi i Procedurës Penale të RSH: Nenet- 165, 228, 229, 244, 277, 279/a, 280, 281, 283, 287, 304, 331, 390

Kodi Penal i RSH : Nenet 180, 245, 257/a, 259, 287.

DREJTUAR: Strukturës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Adresa: Rruga Jordan Misja, Nr 1, Tiranë 1000, Shqipëri. Email: [email protected]

SHKAQET E KALLËZIMIT

“Referuar denoncimeve të shumta nga qytetarë të ndryshëm, media dhe nga kontaktet e bëra për mbledhjen e materialeve, të cilat faktojnë këtë afere, kam arritur të mbledh prova për t’ju drejtuar me këtë kallëzim.

Konkretisht, nga investigimet e bëra rezulton se, në shtetin e San Marinos, ekziston një spital/klinikë private e quajtur “ Casa di Cura Privata Domus Medica” me adresë “Strada Genghe di Atto, 101 Acquaviva RSM”. Në këtë spital kryhen kryesisht trajtime dhe ndërhyrje estetike nga persona “VIP“ të botës së artit, sportit, show biz-it por jo vetëm.

Spitali privat i lartpërmendur njihet si një nga më të kushtueshmit dhe ka staf të përbërë me mjekë të ndryshëm të cilët ndjekin pacientët e këtij spitali. Ky spital njihet jo vetëm për mjekët shumë të kualifikuar, por edhe për tarifat që aplikon për pacientët e saj, të cilat janë tepër të larta. Nga kërkimet e bëra, më rezulton se personazhe të cilët kanë marrë trajtimet e këtij spitali janë edhe ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj.

Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre. Një prej mjekëve të këtij spitali është dhe shtetasja Silva Shametaj/Ruli. Sipas investigimeve të bëra, mjekja Silva Shametaj është mikeshë personale e Monika Kryemadhit dhe Ilir Meta (kjo lidhje dhe fakte të tjera do të vërtetohen nga materialet bashkëlidhur këtij kallëzimi), si dhe  personi që ka ndjekur kryesisht ndërhyrjet dhe trajtimet që shtetasit Monika Kryemadhi, Ilir Metaj dhe fëmijët e tyre kanë bërë pranë këtij spitali.

Ashtu siç evidentohet qartazi nga fotografitë, rezulton se, shtetasja Monika Kryemadhi ka bërë ndërhyrje të shumta estetike dhe sipas informacioneve që disponoj, një pjesë janë bërë në spitalin “Casa di Cura Private Domus Medica” në San Marino.

Gjithashtu edhe shtetasi Ilir Meta është klient i këtij spitali në të cilin ndjek trajtimet estetike në harqe kohore periodike, pas ndërhyrjes së bërë në Vjenë për dobësim (rrethana të cilat do t’jua shpjegojmë më poshtë). Jo vetëm çifti Meta-Kryemadhi ka marrë trajtim pranë këtij spitali, por edhe fëmijët e  tyre të cilët gjithashtu janë klientë të këtij spitali e kanë bërë trajtime estetike”, thuhet në kallëzimin e Beqirit ndaj Metës, që disponon gazeta “SOT”.

Transfertat e parave përmes kompanive “offshore” në Qipro

“Të dhënat e këtyre shtetasve gjenden në kartelat mjekësore të spitalit, provohen me hyrjet – daljet e sistemit TIMS, si dhe nëpërmjet transfertave bankare që i janë bërë spitalit. Familja Meta ka marrë një sërë trajtimesh në kohë të ndryshme pranë këtij spitali, kostot e të cilave arrijnë shifra marramendëse. Vlen për t’u përmendur fakti se vetëm njëri prej trajtimeve të kryera nga Monika Kryemadhi për shërbime estetike, sipas transfertës së datës 04.06.2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, ka vlerën 287. 650 Euro dhe me përshkrim “Pagesë për shërbime të klientit Monika Kryemadhi nr regjistrimi MK54852147 (Pagamento per servissi cliente Monika Kryemadhi nr di registrazione MK 54852147)“.  Referuar këtyre rrethanave, faktit se pagesa kryen nga llogari offshore dhe asnjë prej këtyre shpenzimeve nuk është deklaruar në deklaratat periodike vjetore të tyre, të krijohet dyshimi i  arsyeshëm se këta shtetas kanë përdorur para të përfituara nga aferat korruptive, duke i futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime personale. Në këtë mënyrë me veprimet e tyre të kundraligjshme dhe që janë shoqërisht të rrezikshme, kanë konsumuar elementet e veprës penale të sipërcituara”, theksohet në kallëzimin e Beqirit ndaj Metës, që disponon gazeta “SOT”.

RRETHANA FAKTI, Kryemadhi paguan 370 milonë lekë për t’u zbukuruar

– Nga fotografitë të cilat qarkullojnë dhe që gjenden lehtë në internet mund të vihet re lehtësisht ndryshimi i pamjes së jashtme të shtetases Monika Kryemadhi. Kjo shtetase ka kryer disa ndërhyrje estetike pranë spitalit  “Casa di Cura Private Domus Medica” në San Marino. Këto ndërhyrje kanë ndodhur në vite të ndryshme dhe të paguara në kohë të ndryshme në Cash (sipas informacionit që disponoj janë bërë nga Monika Kryemadhi dhe Elona Guri) dhe në transferta bankare nga llogari offshore. Vetëm për njërën nga ndërhyrjet që Monika Kryemadhi ka bërë në San Marino është paguar shifra 287 650 Euro. Nga investigimet që kam bërë, kam arritur të siguroj një kopje të një transferte bankare të datës 04.06.2018, ora 10:27:44, në vlerën 287 650 Euro, me llogari dërguese një llogari offshore nga Qipro me referencë dërguesi 6142538595764294, me numër llogarie offshore CY17002001280000001200527600 dhe marrës ose përfitues të shumës monetare spitalin Domus Medica servizi në San Marino, me numër llogarie bankare IT68Y0306960756100000002593. Vlera e kësaj transferte është 287 650 euro (ekuivalente në monedhën shqiptare 37 394 500 Lekë).  Përshkrimi i kësaj transferte është “Shërbime mjekësore për klientin Monika Kryemadhi me numër regjistrimi MK54852147”. Ky statement gjendet në sektorin e financës së spitalit Domus Medica në San Marino dhe fakton se këtij spitali i janë bërë pagesa në rrugë  bankare në dobi të shtetases Monika Kryemadhi.  Bashkëngjitur me kallëzimin tim do të gjeni dhe kopjen e urdhërxhirimit, i cili mbetet për t’u verifikuar nga ana juaj. Si në regjistrat financiarë të spitalit, pagesat bankare të spitalit, kartelat mjekësore dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS, rezulton se kjo shtetase ka bërë ndërhyrje dhe pagesa në vlera të mëdha  në spitalin e San Marinos.

Meta ndërhyrje kirurgjikale në Vjenë për t’u dobësuar

-Po kështu shtetasi Ilir Meta rreth vitit 2013 -2014, ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në Vjenë, e cila i ka shërbyer për t’u dobësuar. Këto ndërhyrje janë kryer nga shefi i pavionit të obezitetit në spitalin e Vjenës, i cili quhet Gerhard Prager. Ky mjek është ndër më të mirët në botë për këtë sektor dhe kryen këto ndërhyrje në spitalin shtetëror të Vjenës ose në klinikën private të tij e quajtur “Goldenes Kreuz Vjenë, Austri” me adresë Lazarettgasse 16-18.1090 Vienna, tel 00 43 140 111 0.  Këto ndërhyrje janë tepër të kushtueshme dhe kërkohen dhe trajtime të mëvonshme për të mbajtur në kontroll estetikën. Bashkëngjitur do të gjeni dhe të dhënat e mjekut Gerhard Pager dhe të klinikës së tij. Ndërhyrjet e kryera në vitet 2013-2014, nuk rezulton të jenë deklaruar si shpenzim i kryer në deklaratat periodike vjetore të viteve 2013-2014, pra është shpenzim i padeklaruar në ILDKPI nga subjekti deklarues Ilir Meta, për këtë të krijohet dyshimi i arsyeshëm se dhe këto ndërhyrje dhe trajtime janë financuar me të njëjtën mënyrë me ato të mësipërmet ( nga llogari offshore) ndaj ia bashkëngjisim këtij kallëzimi.

Gjithashtu shtetasi Ilir Meta në mënyrë periodike ndjek trajtime pas ndërhyrjes së bërë në Vjenë, kurohet dhe trajtohet në spitalin “Casa di Cura Privata Domus Medica“ San Marino. Për të gjitha këto trajtime që ai merr kanë një kosto tepër të lartë, të pamundura të përballohen nga të ardhurat që ai ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Si në rastin e shtetases Monika Kryemadhi edhe në rastin e shtetasit Ilir Meta, në këndvështrimin tim vlen për t’u zbuluar burimi i të ardhurave për ndërhyrjen e dobësimit në Vjenë tek spitali Goldenes Kreuz i Doktor Gerhard Prager dhe burimi i të ardhurave për trajtimet në spitalin “Casa Di Cura Privata Domus Medica“ San Marino, pasi të dyja këto klinika ofrojnë shërbime kundrejt çmimeve tepër të larta, gjithashtu dhe arsyeja përse këto shpenzime nuk janë deklaruar  në ILDKPI.

Prishja e provave

– Shtetasja Bora Metaj, ka kryer ndërhyrje estetike në spitalin Domus Medica të cilat paguhen në cash ose në transferta offshore. Në regjistrat financiarë të spitalit, pagesat bankare të spitalit, kartelat mjekësore dhe hyrje-daljet në sistemin TIMS rezulton se kjo shtetase ka bërë ndërhyrje dhe pagesa në vlera të mëdha në spitalin e San Marinos.

Me anë të deklaratave të ndërsjellta në rrjetet sociale faktohet se shtetasja Monika Kryemadhi ka njohje me shtetasen Silva Shametaj/Ruli. Doktoresha Silva Shametaj është nëpunëse e spitalit “Casa di Cura Privata Domus Medica“ në San Marino. Në dijeninë time kjo shtetase kryen funksionin e mjekes në spitalin shtetëror në San Marino dhe me kohë të pjesshme gjithashtu në spitalin privat Domus Medica. Ajo ka influencë tepër të madhe në këtë spital privat gjë e cila mund të sjellë dhe prishjen e provave për mos të bërë të mundur faktimin e veprave penale në ngarkim të shtetasve të kallëzuar. Për këtë arsye do doja t’ju informoja se ndërhyrjet janë bërë nga disa mjekë, jo vetëm nga mjekja që personat e përmendur kanë njohje dhe për këtë ekzistojnë kartela mjekësore në arkivën e spitalit për këta shtetas, emaile të ndërsjellta, bilance të spitalit për të ardhurat që ka përftuar, transferta bankare me përshkrime konkrete dhe detaje të tjera të cilat jam i sigurt se me anë të hetimit tuaj profesional do t’i faktoni.

Gjithë familja e Metës e përfshirë në pastrim parash, sipas avokat Beqirit

“Nga sa përmenda më lart të krijohet dyshimi i arsyeshëm se: shtetasit Monika Kryemadhi, Ilir Meta dhe fëmijët e tyre Bora Metaj, Besart Metaj, Era Metaj, kanë përdorur llogari offshore në shtetin e Qipros për shpenzimet e tyre marramendëse me qëllim për t’i fshehur ato dhe për të pastruar paratë e përftuara në mënyrë të jashtëligjshme. Duke pasur parasysh se dhe më parë pranë jush janë bërë kallëzime me karakter të ngjashëm për këta shtetas ku gjithashtu nga të dhënat e bëra publike ky grup personash kanë përdorur dhe për shpenzime të tjera të tyre llogaritë e shoqërive Offshore të cilat janë të ngritura posaçërisht për të fshehur pronarin e vërtetë dhe transfertat e bëra. Mbetet pjesë e hetimit tuaj për të verifikuar të gjitha shpenzimet dhe pagesat që janë bërë nga kjo llogari bankare offshore në shtetin e Qipros dhe për të kuptuar se kujt i ka shërbyer kjo llogari e se si është debituar me para kjo llogari e nga kush? Cila është lidhja midis personit që ka futur paratë në llogari dhe personave që i kanë shpenzuar? Përse Monika Kryemadhi ka paguar shpenzimet e saj nga kjo llogari?

Pra duke parë në tërësi provat e paraqitura, përfshirë këtu ndryshimet në pamjen fizike të shtetases së kallëzuar Monika Kryemadhi, referuar pamjeve fotografike, deklaratat publike të saj, faturat e paguara, transfertat bankare nga shoqëri offshore, deklarimet periodike vjetore të tyre, njohjen e shtetases Monika Kryemadhi me shtetasen Silva Shametaj, nga kryqëzimi i të dhënave del se shtetasit e kallëzuar kanë konsumuar tërësisht elementet e veprave penale të sipërcituara. Fakti se janë përdorur llogari offshore dhe se asnjëra prej këtyre ndërhyrjeve (duke mos përfshirë këtu edhe qëndrimin në hotele luksoze, po në ato vende) nuk është deklaruar në deklaratat e pasurisë së këtyre shtetasve të cilët janë objekt i deklarimit të pasurisë, krijon dyshimin e arsyeshëm se këto të ardhura janë përftuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe se ata kanë konsumuar veprën penale të fshehjes së të ardhurave dhe mosdeklarimit të tyre. Sipas parashikimeve të nenit 3,4 dhe 38 të ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa Nëpunësve Publikë”, detyrimin për deklarimin e pasurive e kanë edhe deputetët e Kuvendit të Republikës. Ky ligj detyron që çdo e hyrë, përfshirë edhe dhuratat mbi vlerën 10 000 lekë të reja, duhet të deklarohen në formularin e deklarimit periodik. Gjithashtu, bazuar në legjislacionin tatimor, të gjitha të ardhurat të çfarëdolloj natyre janë të tatueshme sipas parashikimeve ligjore. Në kushtet kur rezulton e provuar dhe nga vetë deklaratat publike të shtetases Monika Kryemadhi se kjo e fundit ka marrë trajtime pranë këtij spitali, apo shtetasit Ilir Meta dhe për këto shërbime janë paguar shuma të konsiderueshme, provuar kjo edhe me urdhërxhirimin bashkëlidhur këtij kallëzimi, të cilat nuk janë deklaruar nga këta të fundit sipas nenit 38 të ligjit Nr.9049 datë 10.04.2003, kjo  përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.  Gjithashtu nisur nga vlera e parave të transferuara, banka nga ku është nisur transferta (Banka offshore e Qipros), lind dyshimi i arsyeshëm se këto para janë rezultat i aferave korruptive, duke qenë për shumë vite në poste të larta drejtuese në qeverinë shqiptare, pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe një vlerë e tillë në disproporcion total me standardin e jetesës në Shqipëri dhe të ardhurat e deklaruara prej familjes Meta.  Fakti që këto para mbahen në banka në të cilat gjurmimi i parave është i vështirë dhe herë pas here rifuten në qarkullim duke marrë të mira dhe shërbime në formën e këmbimit, transferimit, fshehjes së vendndodhjes dhe kryerjes së transaksioneve të copëzuara bën që të plotësohen të gjithë elementet e veprës penale “Pastrim i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” sipas parashikimeve të nenit 287, paragrafi 1, germa a , b, dhe ç”, nënvizohet në kallëzimin e Beqirit ndaj Metës, që disponon gazeta “SOT”.

Procedimi penal ndaj Metës

1.      Sa më sipër, kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen këto veprime hetimore:

2.      Të administrohen të gjitha hyrje-daljet e shtetasve të kallëzuar në sistemin TIMS.

3.      Të administrohen kartelat shëndetësore nga spitali në San Marino për personat e familjes Meta që kanë marrë trajtime atje, së bashku me faturat dhe urdhërxhirimet për likuidimin e këtyre faturave.

4.      Të verifikohen mbajtësit e llogarive të cilët administrojnë llogaritë bankare në “pronësi” të Monika Kryemadhit.

5.      Të administrohen deklarimet periodike pranë ILDKPI për të kallëzuarit subjekte të deklarimit dhe familjarëve të lidhur me ta.

6.      Të verifikohet nëse në këto banka ka llogari të tjera në emër të personave të cilët kanë kryer pagesa për llogari të Monika Kryemadhit.

KALLËZUES

IDAJET BEQIRI

Burimi:  Gazeta SOT

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: