Rreth një muaj më parë, komuniteti i biznesit shpalosi platformën ekonomike që adresonte 7 propozime konkrete për qeverinë që do të dilte nga zgjedhjet e 25 qershorit. Platforma, tanimë i është dorëzuar Partisë Socialiste, fituese e këtyre zgjedhjeve dhe sipermarrja pret një tryezë të hapur dialogu me kryeministrin Edi Rama. Kreu i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka në një intervistë dhënë RTSH thotë “janë autorizuar pjestarët e forumit për të filluar bisedimet në mënyrë që të organizohet një tryezë e forumit me kryeministrin aktual zotin Edi Rama, i cili ka dhe barrën dhe përgjegjësinë për të krijuar qeverinë e re dhe për të drejtuar vendin katër vitet e ardhshme”.
Mes 7 propozimeve të biznesit, me i guximshmi u konsiderua propozimi për një ministri të veçantë për tregëtinë dhe sipërmarrjen e cila duhet të ketë në krye një përfaqësues të sipërmarrjes. Zoti Nikolin Jaka argumenton se “Kjo është gjëja më me vend që mund të bëjë maxhoranca në Shqipëri. Konkretisht në Maqedoni jo vetëm kemi 5 ministri ekonomie dhe tregëtie, por risia e fundit e aleancës fituese është që ka krijuar një strukturë të veçantë me zëvendëskryeministër të sipërmarrjes private”.
Komuniteti i biznesit thotë se i ka gati tre kandidatura për të qenë në krye të kësaj ministrie, por nisma nuk është çështje emrash specifik. “Nuk bëhet fjalë për emra, por për një nisëm e cila duhet të shkojë gjithmonë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe në shërbim të standartizimit të ndërmarrjes private në Shqipëri” thotë Kreu i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka.